Kronikë

Arrestohet zyrtari policor në Drenas që shfrytëzoi seksualisht një 16 vjeçare

Është arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se ka abuzuar seksualisht një 16 vjeçare në Drenas.

Inspektorati Policor i Kosovës përmes rrugëve operative ka pranuar informacion anonime lidhur me dyshimet për kryerje të veprimeve të kundërligjshme nga një zyrtar policor – punonjës në stacionin policor në Drenas (me gradën e rreshterit), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Me të pranuar informacionin, hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

“Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore hetuesit e IPK-së kanë realizuar dje (05.02.2019) edhe një urdhëresë për bastisje në disa lokacione duke përfshirë shtëpinë e të dyshuarit, zyrën e tij në Stacionin Policor në Drenas dhe një ordinancë private (mjekësore)”, thuhet në komunikatë.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

“Pas intervistimit të të dyshuarit (punonjësit policor me inicialet V.V) i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal)”, thuhet në komunikatë.

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.