Kronikë

14 mijë euro gjobë tre personave për kontrabandim mallrash e ryshfet

Euro - Para

Tre persona janë gjobitur me gjithsej 14 mijë euro për veprat penale kontrabandim të mallrave dhe ryshfetdhënie. Gjykata Themelore në Ferizaj ka gjetur fajtor për kontrabandim me mallra L.S., ndërsa për dhënie të ryshfetit janë dënuar F.R. dhe A.M.

L.S. ka pranuar fajësinë. Ai është gjobitur me 10 mijë euro. Ndërkaq me nga 500 euro janë gjobitur dy të tjerët, dhe nga tre muaj burgim të cilat i kanë zëvendësuar me gjobë 1500 euroshe.

Sipas aktakuzës, i pandehuri L.S., nga tetori i vitit 2020 deri më 18 maj 2021, në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke i ikur kontrollit doganor. Në veturë atij i janë gjetur barna (1385 pako), ndërsa me kontroll të deposë i janë gjetur edhe 16 mijë pako tjera me vlerë rreth 80 mijë euro.

Në njoftim thuhet se më 18 maj, i pandehuri i kishte ofruar ryshfet 70 euro një zyrtari doganor për t’ia mundësuar tejkalimin e kufirit pa kontrolle.

F.R. dhe A.M. akuzohen se më 19 mars 2021 në këtë pikë kufitare kishin ofruar ryshfet prej 20 eurosh për futjen e mallrave ilegalisht nga Maqedonia, ndërsa A.M. po në të njëjtën ditë kishte ofruar 50 euro për kalimin e kufirit.