Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me personin i cili u gjet i vdekur të hënën nën ashensorin e një objekti banesor.
Personi M.H. ishte raportuar si i humbur që më 9 janar, e më 26 shkurt rreth orës 23:00 u gjet i vdekur nën ashensorin e objektit banesor ku kishte banuar edhe vetë.
“Pas raportimit si person i humbur, dyshimet e para kanë qenë në drejtim të veprës penale ‘Rrëmbimi’, pasi i njëjti pas lirimit nga qendra e paraburgimit në Lipjan, më 09 Janar 2024, kishte pasur me vete 86,250 franga zvicerane, prandaj Prokuroria Themelore në Gjilan, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të kësaj vepre penale dhe veprime të shumta hetimore”, ka njoftuar Prokuroria.
Pas gjetjes së tij, në çantën e tij është gjetur edhe shuma e e të hollave prej 86,250 franga zvicerane, si dhe 350 euro, tre telefona mobilë dhe sende tjera personale.
Prokurori i shtetit ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu janë angazhuar ekspertë nga Fakulteti Teknik, me qëllim të ekspertimit të funksionalitetit teknik të ashensorit, janë bërë urdhëresa për ekzaminimin e telefonave dhe janë ndërmarrë veprime tjera hetimore, njoftoi tutje Prokuroria.