Kronikë

Dy të arrestuar për fajde e detyrim në Prishtinë dhe Lipjan

Arrestim

Foto: Ilustrim

Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë e Lipjan, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

Policia ka njoftuar të mërkurën se arrestimi i tyre është bërë gjatë operacionit të zhvilluar në këto dy lokacione të ndryshme.

“Me datë 04.10.2023 DHKOKR ka zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente, me ç’rast në Prishtinë dhe Lipjan është zhvilluar operacioni policor gjatë të cilit janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: Një revole, tre telefona mobil, një automjet, 915 euro, shënime/ evidenca që dyshohet se ndërlidhen me veprat e lartcekura”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Pas arrestimit të të dyshuarve me iniciale L.A. dhe S.A., të njëjtit i janë nënshtruar procesit të intervistimit, pas të cilit me aktvendim të prokurorit kompetent ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.