Autoritetet kontrollojnë dhjetë barnatore, identifikojnë barna të kondrabanduara, pa banderola, mbyllet një barnatore dhe konfiskohet sasi e barnave
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të mërkurën në dhjetë barnatore, në të cilat dyshohej se po shiteshin produkte farmaceutike pa banderola dhe se të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Në njoftimin e Policisë thuhet se një prej këtyre barnatoreve është mbyllur, teksa si rezultat i këtij aksioni janë identifikuar barna të kontrabanduara e pa banderola, si dhe janë konfiskuar një sasi e tyre.
Ky operacion thuhet se ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.
“Janë kontrolluar 10 barnatore ku në gjashtë prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola. Biznesi 1, në tri njësi janë gjetur 398 lloje të barnave pa banderola, 40 copë barna me banderola të falsifikuara, një produkt narkotik pa licencë. Të njëjtit biznes i është lëshuar vendimi nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi që ka qenë duke punuar pa farmacist përgjegjës; Biznesi 2, në dy njësi janë gjetur: 203 produkte medicinale pa banderola; Biznesi 3, në një njësi janë gjetur 80 produkte medicinale pa banderola”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Më tej është bërë e ditur se tre pronarë të këtyre bizneseve janë shoqëruar në Stacion Policor dhe janë intervistuar si të dyshuar lidhur me këto vepra penale.
“Në disa barnatore janë pronarët e njëjtë të disa barnatoreve në qytetin e Pejës”, thuhet në komunikatë.
Pas intervistimit personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë janë liruar në procedurë të rregullt, kurse rastet iniciohen për “Prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “ Kontrabandim të mallrave”.