Dy persona dyshohet se janë zhdukur të dielën në Shkrel të Malësisë së Madhe në Shqipëri.
Të zhdukurit për të cilët raportohet se janë një prind dhe djali i tij, dyshohet se u zhdukën si pasojë e përmbytjeve në këtë zonë.
Përroi i “Prekë-Nicajve” në Bzhetë të Bogës ka marrë përpara një automjet me të cilin po udhëtonin babai djali dhe vajza, e që kjo e fundit ka arritur të shpëtojë, raportoi TCH.
"Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi Pjeter Gjoka, rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë dhe vëllain e vajzës i ka marrë rrjedhja e ujit", ka njoftuar Policia e Shkodrës.
Viktimat ende nuk janë gjetur nga grupi i kërkim-shpëtimit që kanë dalë në vendin e ngjarjes.