Dushko Arshiq ka mohuar se ka kryer krime lufte në Kosovë, ndërsa ka thënë se po ta bënte një gjë të tillë nuk do të martohej me shqiptare.
Një deklarim të tillë, Arshiq e ka bërë të enjten në seancën fillestare të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ku aktakuzën e ka lexuar prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari për krime lufte, Arshiq ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.SH. më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht A.K.
“Po ta kisha bërë një gjë të tillë, nuk do ta kisha martuar një shqiptare”, shtoi i akuzuari Arsiç.
Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Nebojsha Vllajiq tha se do ta kundërshtojnë aktakuzën dhe disa prova si dhe do të propozojnë prova të tyre, pasi gjykatësi Vesel Ismaili i njoftoi për të drejtën në kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
“Ne gjithqysh do ta kundërshtojmë aktakuzën dhe do t’i kundërshtojmë disa prova, dhe do t’i propozojmë provat tona, 40 ditë është afat i mjaftueshëm”, tha i njëjti.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor të këtij viti, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arshiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupeve paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arshiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arshiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje si dhe për vrasje.
Arshiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të njderit B.Sh., më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”.
Sipas aktakuzës, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15-vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht.
Ndërkaq, në dispozitivin e dytë, thuhet se i akuzuari Arshiq më 20 prill të vitit 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i moshës 15-vjeçare.
Sipas aktakuzës, Arshiq bashkë me paramilitarë tjerë serb, të veshur me maicë të zezë lartë, pantallona ushtarake, shami në kokë, të cilët kanë pasur një emblemë me kryq me shkronjat “CCCC”, fillimisht i kanë urdhëruar A.K ta heqë çantën të cilën e ka pasur në shpinë, e më pas i akuzuari Arshiq i ka shkuar nga pas shpinës dhe e ka goditur me tytën e automatikut në pjesën e poshtme të shinës.
Në aktakuzë thuhet se ndërsa si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ka rënë menjëherë në tokë, me fytyrë nga livadhi, e kështu të njëjtit vazhdojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, në aspektin fizik dhe psikik../Betmi për Drejtësi