Kronikë

Një muaj paraburgim boshnjakut që dyshohet për krime lufte në Istog

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit E.B., boshnjak, për shkak të veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Ai do të mbahet një muaj në paraburgim.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, që do të pengonte rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

I pandehuri E.B., dyshohet se gjatë periudhës kohore 1998-1999 në Komunën e Istogut, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me personat ende të pa identifikuar, në cilësinë e policit në Stacionin Policor në Gjurakovc, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre, në atë mënyrë që me datë 08.05.1999 në fshatin Staradranë e kishin sulmuar konvojin e popullsisë civile e cila po lëvizte nga komuna e Istogut në drejtim të Komunës së Klinës dhe kur arrijnë në fshatin Staradranë, ndalen nga forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i dyshuari, ashtu që fillimisht i plaçkitin civilët e më pastaj i ndajnë burrat nga grat, e më pastaj i sulmojnë duke i vrarë rreth 18 civilë të nacionalitetit shqiptarë, të cilët nuk ishin pjesëmarrës në konflikt, me ç ‘rast ishin vrarë viktimat civile.