Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për ryshfet në rastin “Brezovica”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar të martën paraburgim prej 30 ditësh për një të dyshuar për rastin “Brezovica”.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ekziston dyshimi se personi me inicialet A.Sh., ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

“I pandehuri A.Sh., ndodhet në ndalim që nga data 12 shtator 2022, ndërsa, sot, ndaj tij, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, sepse ekziston dyshimi se i njëjti, në vitin 2018 në bashkëkryerje ka kryer veprën veprën penale ‘marrja e ryshfetit’”, thuhet në njoftim.

Në rastin “Brezovica” janë arrestuar dhjetëra persona, kryetarë të komunave, drejtorë të drejtorive, ish-sekretarë të ministrive, biznesmenë e qytetarë të ndryshëm.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar, se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe se a janë në pajtim me ligjin.