Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet edhe një person për rastin “Brezovica”

Foto: Koha

Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka ndaluar të martën për 48 orë të dyshuarin R.M. në rastin “Brezovica”.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ai dyshohet se ka kryer veprat penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr rreth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria shton se R.M. gjatë zbatimit të urdhrit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse në aksionin “Brezovica” të datës 26 maj 2022, nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

“Sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në njoftim.

Deri më tash, janë arrestuar disa zyrtarë e afaristë për rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me lëshimin e lejeve dhe ndërtimin e vilave në Brezovicë.