Kronikë

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar nga Policia e Kosovës, se kanë ndodhur të hënën në Kosovë.

Sipas njoftimit të së martës, dy raste kanë ndodhur në Prizren, një në Prishtinë, një në Fushë-Kosovë, një në Gjakovë dhe një në Vushtrri.

Në një rast të Prishtinës, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Në njëri rast në Prizren, raportohet se një person e ka sulmuar gruan.

“Ankuesja, kosovare, ka raportuar se gjatë periudhës së lartpërmendur, i dyshuari me të cilin bashkëjeton, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke i shkaktuar lëndime trupore. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.

Në rastin e Gjakovës, policia ka njoftuar se një person, në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.

“Është arrestuar i dyshuari, pasi që në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në rastin e Vushtrrisë, sipas njoftimit të policisë, një person ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe motrës së bashkëshortes.

“Është arrestuar i dyshuari, pasi që ka ushtruar dhunën ndaj bashkëshortes dhe motrës së bashkëshortes. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë të martën.