Kronikë

Dy të vdekur e dy të lënduar në aksidentin në rrugën Prishtinë-Podujevë

Dy fëmijët në gjendje stabile pas aksidentit në rrugën Prishtinë-Podujevë

12:39 - Dy fëmijët të cilët po trajtohen në emergjencën e QKUK-së si pasojë e lëndimeve të marra nga aksidenti mëngjesin e së premtes në rrugën Prishtinë-Podujevë janë në gjendje stabile, por jo jashtë rrezikut për jetë, ka bërë të ditur për KOHËN Naser Syla, mjek kujdestar në Emergjencë.

Dy fëmijëve të moshave 3 dhe 6 vjeç u kanë vdekur të dy prindërit në këtë aksident, 35 dhe 36 vjeç pasi vetura e tyre është ndeshur me një autobus.

Syla ka thënë se fëmijëve po u bëhen ekzaminimet e nevojshme për t’u parë nëse ka nevojë për ndërhyrje të tjera.

“Fëmijët janë stabil aktualisht. Po bëhen ekzaminimet e nevojshme për të parë nëse është e nevojshme t’u nënshtrohen ndërhyrjeve”, ka thënë Syla.

Aksidenti i veturës me targa të huaja ka ndodhur rreth orës 04:00 të së premtes ndërkohë mësohet se çifti i ndjerë po udhëtonin nga Sllovenia për në Kosovë bashkë me dy fëmijët e tyre në momentin kur ka ndodhur ai.


Dy të rinj kanë humbur jetën mëngjesin e së premtes si pasojë e një aksidenti trafiku në rrugën Prishtinë-Podujevë. 

Në aksident janë lënduar edhe dy fëmijë, që janë dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se viktimat janë të moshave 35 dhe 36 vjeç. Ajo ka njoftuar se në aksident janë përfshirë një veturë me targa të huaja dhe një autobus.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë - Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë me targa të huaja e cila ka qenë në lëvizje, dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritur t'i përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave: Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore", ka thënë Ahmeti.