Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tentuan shitjen e tokës 1-milionëshe me letërnjoftim fals të Serbisë, kapen të dyshuarit në Suharekë

Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën i ka zënë në flagrancë dy persona në Suharekë teksa me dokumente të falsifikuara tentonin të shitnin një tokë 10-hektarëshe në vlerë një milion euro.

Sipas raportimit, më 4 korrik ishte siguruar informata për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Një i dyshuar kishte ndryshuar një letërnjoftim të Serbisë, duke e vendosur fotografinë e vet në letërnjoftimin e tjetërkujt. Duke e shfrytëzuar kishte pretenduar shitjen e disa pronave në zonën kadastrale të Suharekës.

Ndërkaq, sot, e martë, Policia ka arritur që në vend të ngjarjes t’i arrestojë dy të dyshuarit me iniciale S.M. femër (1971) dhe H.I. mashkull (1979). Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari kishte falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave dhe më pas kishte autorizuar të dyshuarën që ajo të vazhdojë me shitjen e pronave.

Dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas njoftimit, hetimet po vazhdojnë në drejtim të arrestimit të personit të tretë dhe eventualisht personave tjerë të përfshirë në rast.