4 perditesime
22:54

30 ditë paraburgim për Nuredin Lushtakun dhe dy vëllezërit e tij

Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka caktuar të hënën 30 ditë paraburgim ish-kreut të Skenderajt, Nuredin Lushtakut.

Avokati i Lushtakut ka thënë se do të ankohen në apel për këtë vendim.

30 ditë paraburgim janë caktuar edhe për dy të dyshuarit të tjerë në rastin e sulmit ndaj zyrtarëve policorë, mesnatën e së shtunës.

Ndërkaq forca të shtuara të Policisë janë afër oborrit të Gjykatës.


Familjarët e Lushtakut: Çështje e montuar, prezenca e policisë e panevojshme – vetëm për show

Familjarët e ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, tashmë të paraburgosurit Nuredin Lushtaku, e kanë cilësuar të padrejtë vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Pas caktimit të masës prej 30 ditësh paraburgim nga Gjykata për Lushtakun, familjarët të cilët kanë pritur për vendimin deri në orët e vona të së hënës, kanë thënë se kjo çështje është politike dhe e montuar.

Madje, ata e kanë cilësuar si shfaqje të panevojshme prezencën e njësiteve policore para gjykatës.

Image
19:34

Lushtaku: Rrethanat e krijuara më bëjnë të dyshoj për montim të rastit

Ish-nënkryetari i Skenderajt dhe një nga të dyshuarit për plagosjen e zyrtarëve policor, Nuredin Lushtaku ka thënë se nuk kanë pasur revole me vete në kohën kur ka ndodhur rasti.

Ai ka thënë se polici ka gjuajtur drejt tyre dhe se qëllim i familjarëve të tij ka qenë t’ia heqin revolen policit.

“Duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë dhe letrat që u dëgjuan në sallë, më çudit fakti pse polici në këtë rast po bëhet viktimë. Kisha pas një pyetje, e dimë të gjithë që policët nuk e kanë mjet të mbrojtjes së dhunës vetëm revolen, mesa unë e di, i kanë edhe dy mjete të tjera, ose tre nëse e sheh që po rrezikohet prej masës. E ka një shufër të plastikës ose të hekurit, që duhet me përdor edhe atë, dhe unë mendoj që e fundit vjen revolja”, deklaroi Lushtaku, duke shtuar se “në rast kanë qenë të përfshirë edhe policë tjerë”.

Sipas ish-zyrtarit të Komunës së Skenderajt, asnjë polic tjetër nuk ka shtënë me revole, ndërsa disa policë kanë përdorur edhe sprej.

“Çka do të ndodhte nëse ata i kishin nxjerrë revolet dhe na i kishin drejtuar neve. Unë një gjë mundem me thanë si e kam thënë edhe në deklaratë; vëllezërit e mi kur është nxjerrë revolja krejt çka ka ndodhë kur ka gjuajt polici, është se e kanë bërë për frikë se po më vret mua ose fëmijët, asnjë qëllim tjetër nuk qenë vetëm me ja heq revolen”, shtoi Lushtaku, derisa potencoi se nga familjarët e tij nuk ka pasur asnjë telashe.

Ai ka thënë se duke pasur parasysh deklaratat politike dhe lëshimet e prokurorisë, e bën të dyshojë se ky proces është i montuar.

“Na nuk jem për probleme, nuk ka nevoje me u ruajt askush prej meje as prokuroria e as policia, e as qytetarët. Edhe prej neve nuk ka nevojë me u frikësu askush”, ka thënë ai.

Prokuroria më herët ka deklaruar se armën e policit të cilën e kishte marrë Lushtaku, ia kishte dërguar ish-kryetarit të Skenderajt, Bekim Jasharit, i cili më pas e kishte dorëzuar në Polici.

Koha ka provuar ta kontaktojë Jasharin, për të pyetur se pse e ka pranuar armën e marrë nga polici dhe nuk i ka thënë Lushtakut që ta dorëzojë vetë tek institucionet, por ka qenë i paqasshëm.

Seanca ka përfunduar rreth orës 20:20, ndërkaq pas një ore pritet të merret vendimi.

17:39

Prokuroria: Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit armën e njërit polic

Është duke u mbajtur seanca e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe të dyshuarve tjerë për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thëne se ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale.

Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.

Sipas Prokurorisë Skenderaj është vend i vogël, dhe të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve që do merren në pyetje ditët në vazhdim.

Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirrur djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.

Avokati mbrojtës i të dyshuarit, Arif Lushtaku ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, ndaj klientit të tij, për shkak se sipas tij, i njëjti vullnetarisht ka shkuar në polici për të dhënë deklaratë.

Avokati, Haxhi Millaku, ka thënë se zyrtarët policorë, kanë provokuar situatën dhe kanë dashur të tregojnë në publik se djalin e kujt e kanë gjobitur.

“E mban një qytetar të ndaluar në kohë të pacaktuar në komunikacion, e mban nën kontroll dhe bënë reklamë në opinion, në qendër të Skenderajt një djalë të që e din se baba e tij ka një ‘background’ dhe një personalitet, dhe dëshiron që të tregojë kushtimisht dhembët e uniformes, se ja kush jam unë dhe çfarë unë bëjë, duke ja përdhosur autoritetin, dhe më tepër i implikon edhe dy dëshmitarët policët, Behrami dhe Murtezaj, “ ka thënë Millaku, nder të tjera.

Ai tutje ka shtuar se fillimisht është shtënë me armë nga zyrtari policor, Enver Berisha.

“Unë jam i bindur se në të ardhmen do vërtetohet që çdo veprim që kanë ndërmarr i mbrojturi im dhe të tjerët kanë qenë si reagim e afektit mendor pasi që është shtënë me armë nga ana e policit si i dëmtuar, ai ka bërë provokim edhe më herët. Personi zyrtar me emrin, Enver Berisha ka provokuar, ka dënuar dhe ka kanosur me armë, duke bërë ndikimin si oficer, duke keqpërdorur uniformen dhe kësaj kur ja shtojmë ‘backgroundin’ nga evidenca kriminale dhe denoncimet qe ka nga qytetarët procedurat e inspektoratit kundër Enver Berishës, vetëm për 12 muajt e fundit,. I nderuar gjyqtar nëse këtë që e themi e gjeni se Haxhi Millaku po spekulon apo bënë opstruksion ndaj drejtësisë, në çdo kohë pranoj çfarëdo mase si person me etike profesionale, këto janë fakte që i bie se një rrjet e merimangës është lëshuar, nga Enver Berisha dhe duke i futur në lojë nataret e familjes që këtu janë tani të pandehur”, ka thënë Millaku.

Avokati i ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini ka kërkuar të shqiptohen masa më të buta.

Ai ka thënë se prokuroria thotë se masa tjera më të buta se paraburgimi nuk janë të zbatueshme, mirëpo sipas tij, nuk jep arsye pse nuk janë.

“Si mund të thuhet se nuk mund të zbatohen masat më të buta nëse e kemi parasysh se Nuredin Lushtaku, 3 here vullnetarisht është dorëzuar në Polici, provat kryesore janë në posedim të prokurorisë dhe nën këto rrethana të thuhet se masat tjera më të buta nuk janë të zbatueshme. Nëse prokuroria e ka shqetësimin se mund të ndikohet në dëshmitarë, ose se mund të përsëritet vepra penale atëherë kombinimi i paraqitjes në stacion policor dhe masës së ndalimit për t’u afruar personave dhe vendeve të caktuara adreson të gjitha rreziqet procedurale të pretenduara nga prokuroria me rastin e caktimit të masave të sigurisë duhet të merren rrethanat e personalitetit, dhe mënyra sesi po pretendohet se është kryer vepra pra këtu shihet se nuk ka pasur kurrfarë planifikimi, pra kjo ka qenë një rastësi e cila mund t’i ndodhë çdo kujt e sidomos nëse merret parasysh ndjeshmëria që ka secili prind për fëmijët e tij, kërkoj që ta refuzoj kërkesën e prokurorisë dhe të caktoni ndonjë masë më të butë se paraburgimi”, ka thënë ai.

Qerkini ka thënë se Prokuroria e ka bërë këtë pas presionit publik.

Ekipi i Kohës është brenda seancës por nuk iu është lejuar të xhirojnë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë të hënën gjatë ditës i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t'ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skenderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është shpallur në kërkim.

Menjëherë pas shpalljes në kërkim, Lushtaku është dorëzuar në Polici.

11:39

Dorëzohet Nuredin Lushtaku në Polici

Pak çaste pasi u shpall në kërkim, Nuredin Lushtaku është dorëzuar të hënën tek organet e rendit, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Mitrovicës për KOHËN.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës, të hënën e shpalli në kërkim për incidentin ku të shtunën mbrëma u plagosën dy policë në Skenderaj, ndërkohë që dy familjarë të tij u morën në mbajtje, po për këtë rast.

11:15

Policia në kërkim të Nuredin Lushtakut për rastin e plagosjes së policëve

Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t'ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skenderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është shpallur në kërkim.

“Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë të hënën.

Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini tha për KOHËN se klienti i tij asnjëherë nuk ka qenë në kërkim, ndërsa shtoi se të hënën do të mbahet seanca për masë të sigurisë.

“Nuredin Lushtaku ndodhet në Polici, nuk ka qenë asnjëherë në kërkim. Ai është liruar dje, por pasi që është njoftuar për kërkesën e re të prokurorisë ai është ka shkuar serish vullnetarisht ne Polici. Sot pritet që të mbahet seanca për masa të sigurisë”, tha ai.

Lushtaku dyshohet se me familjarë të tij sulmuan policët në një pikë kontrolli, pasi ata ia shqiptuan një gjobë trafiku djalit të tij.

Ndërkohë në raportin policor të së hënës, bëhet e ditur se të gjithë të përfshirët në incident, gjithsej katër, janë intervistuar.

“Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Po ashtu, Lushtaku gjatë ditës së diel tha se ishte në polici dhe se është liruar.

Incidentin në Skenderaj, ku një polic u plagos me armë zjarri e një tjetër u lëndua me mjet të fortë e kanë dënuar Qeveria, Sindikata e Policisë dhe PDK-ja, parti ku Lushtaku është anëtar.