Kronikë

Arrestohet një i dyshuar për posedim të substancave narkotike, kërkohej nga Shqipëria dhe Italia

Të enjten mbrëma është arrestuar një person për posedim të substancave narkotike por që është i kërkuar edhe nga Shqipëria dhe nga Italia.

Policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor “Rrufeja” bazuar në dyshimin për posedim të narkotikëve dhe në lokacionin e të dyshuarit ka gjetur 16.780 kg marihuanë.

“Në orët e mbrëmjes së datës 19.05.2022 në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet për hetimin e trafikimit me narkotik, pas hetimeve intensive ka realizuar operacionin policor ‘Rrufeja’ i cili ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar A.K. shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili gjithashtu posedonte dokumentacion të Republikës së Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për posedim të (16.780 kg) substancë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në shtëpinë e personit të arrestuar është konfiskuar një valixhe me 31 paketime substancë narkotike, një qese e najlonit me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, ku pesha totale kishte arritur rreth 16.780 kg, si dhe janë konfiskuar para kesh 100 euro, 2 telefona celularë, 2 pasaporta të Shqipërisë, një letërnjoftim i Kosovës, 2 patentë shoferë, njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Italisë.

“Policia e Kosovës ka siguruar informacione se personi i dyshuar tani më i arrestuar, dyshohet se është i kërkuar edhe nga autoritetet e Shqipërisë dhe Italisë”, thuhet tutje.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për veprën penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.