Kronikë

Arrestohet edhe një person për vrasjet në Gllogjan ku vdiqën shoferi e dy nxënës

Është arrestuar edhe një person për vrasjen e rëndë që ndodhi në Gllogjan.

Si pasojë e të shtënave në drejtim të një autobusi që shkonte nga Gjakova, më 26 nëntor të vitit të kaluar mbetën të vdekur shoferi dhe dy nxënës.

“Lidhur me rastin, me 04.02.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq nga Prokuroria në Pejë është bërë e ditur se i arrestuari është K.M. Ndaj tij është kërkuar të caktohet masa e paraburgimit.

Policia pati arrestuar edhe tre persona më herët për këtë rast.

Aty ishte plagosur edhe një nxënës tjetër i cili që trajtuar në spital pas lëndimeve që pësoi.

Një nga nxënësit e vdekur ishte i lindur në vitin 2003 dhe tjetri në 2004.

Fillimisht dyshohej se aktin e kishte kryer një person i maskuar. Më pas, Qeveria e Kosovës pati njoftuar se ofron 20 mijë euro shpërblim për këdo që ofron informata që çojnë në kapje të vrasësit.

Për rastin pati reaguar edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. “I tmerruar nga sulmi i tmerrshëm në Gjakovë”, pati shkruar në Borrell.