Dy persona kanë mbetur të vdekur në rrugën Prishtinë-Podujevë, në një aksident trafiku që ka ndodhur mëngjesin e ditës së diele.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete.
Si pasojë e këtij aksidenti, bazuar në të dhënat fillestare, lëndime trupore kanë pësuar 11 persona, dy prej të cilëve nuk kanë mundur tu përballojë plagëve të marra dhe të njëjtit, kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
Hetuesit nga njësiti i hetimeve të trafikut rrugor në koordinim me prokurorin e shtetit, që po ashtu ndodhet në vend ngjarje janë duke u marrë me rastin.
Policia lut qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative deri në përfundimin e ekzaminimeve në vendngjarje, pasi që rruga është e bllokuar aktualisht.
Njëri nga të lënduarit në aksidentin Prishtinë-Podujevë, në gjendje të rëndë
Dy persona kanë mbetur të vdekur e 9 të tjerë të lënduar si pasojë e aksidentit mes tri veturave që ka ndodhur të dielën në mëngjes, në rrugën Prishtinë-Podujevë.
Ndërkohë, njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë në QKUK, ka bërë të ditur për KOHËN, prokurorja e rastit, Rukije Shasivari.
“Nga të lënduarit një person është në gjendje të rëndë”, ka thënë Shasivari për KOHËN.
Ndërkohë, lidhur me aksidentin ka reaguar kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Me pikëllim të thellë pranuam lajmin për vdekjen e dy personave në aksidentin tragjik në mëngjesin e sotëm në Lupç, në të cilën mbetën të lënduar edhe nëntë persona të tjera. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, kurse të lënduarve ju uroj shërim të shpejtë!”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.