Kronikë

Policia për rastin e 48-vjeçares: Viktima gjatë intervistimit s’kishte shenja dhune

Për vrasjen 48-vjeçares në Llaushë të Skenderajt, Policia ka deklaruar se janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme, bazuar në procedurat e parapara ligjore. Nëpërmjet një komunikate, Policia thotë se për rastin ishte informuar më 1 janar të këtij viti, ku ishte raportuar një dhunë në familje.

Palët ishin dërguar në stacionin policor në Skenderaj, megjithatë tek viktima thuhet se nuk ishin vërejtur shenja dhune e as e njëjta s'kishte potencuar se është rrahur nga bashkëshorti.

Hetuesi “kishte ftuar menjëherë përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së. Po ashtu menjëherë është kontaktuar edhe mbrojtësi i viktimave”.

“Policia e Kosovës me zyrtarët kompetent, në rastin në fjalë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas procedurave të parapara ligjore dhe rekomandimeve të autoriteteve kompetente. Ndërsa me datë 05.01.2022 ka ndodhur rasti i cilësuar ‘Vrasje e Rëndë’, ku Policia e Kosovës po ashtu ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Personi i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ndaj të cilit pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma zjarrit e llojit pistoletë me tre fishekë dhe dëshmitë tjera janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, thuhet tutje në reagim.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani që t’i shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në komunikatë.

Lumezi ka bërë thirrje që të shqyrtohen të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me rastin.