2 perditesime
14:57

31 të arrestuar në aksionin “Subvencione”, Prokuroria jep detaje

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, 31 persona janë arrestuar në aksionin e sotëm “Subvencione 2021”. Prokuroria njofton se aksioni i nisur kohë më parë, sot është kryer në Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot Vushtrri dhe Podujevë.

Sipas Prokurorisë, 12 nga 31 të arrestuarit janë zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK-së.

“Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, thuhet në njoftim.

Personat e ndaluar dyshohen për veprat penale ‘marrje e ryshfetit, ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘dhënie e ryshfetit’, ‘mashtrim me subvencione dhe ‘falsifikim i dokumenteve’.

“Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm”, thuhet në njoftim.

11:24

Aksioni “Subvencione” po zhvillohet në disa komuna, rreth 30 të arrestuar

Katër të arrestuar në Komunën e Istogut

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Agim Ademaj, i ka thënë KOHËS se janë arrestuar katër persona, disa prej tyre janë me kontratë mbi vepër.

“Unë nuk e di për çka janë arrestuar. Janë tre meshkuj dhe një femër, disa prej tyre kanë qenë me kontratë mbi vepër”, tha ai.


Të paktën në katër komuna është duke u kryer aksioni policor “Subvencione”. KOHA ka mësuar se aksioni po zhvillohet në Pejë, Lipjan, Ferizaj e Istog, derisa janë arrestuar rreth 30 persona.

Të arrestuarit thuhet se janë zyrtarë dhe përfitues subvencionesh.

10:22

Vijon aksioni “Subvencione”, arrestohen disa persona

Po vijon aksioni “Subvencione 2021”, i nisur muaj më parë në disa komuna të Kosovës. KOHA ka mësuar se të premten janë arrestuar rreth 20 persona, që dyshohet se janë të përfshirë në keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi.

Të arrestuarit aktualisht janë në stacion policor duke u intervistuar.

Në aksionet e kaluara ishin arrestuar dhjetëra persona, disa prej tyre u ishte caktuar edhe masa e paraburgimit.

Aksionin për KOHËN e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në njoftim.