Policia ke arrestuar një person në Fushë Kosovë, për veprën “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.
Policia ka njoftuar se rreth orës 16:00 ka pranuar informatë se në një qebaptore, po shiten produkte të mishit, që dyshohet se janë të pakontrolluara.
Njësitet policore dhe inspektorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit (AUV) kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit të lokalit janë gjetur sasi të mishit, rreth 120 kilogramë, pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent apo enti i autorizuar dhe pa dokumente të prejardhjes e pa datën e prodhimit apo skadimit.
Po ashtu në oborrin e të dyshuarit, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, në një depo, janë gjetur rreth 50 kilogramë mish, pa dokument të prejardhjes apo datën e skadimit, që ishte vendosur në një kuti plastike dhe një sasi tjetër mishi u gjet në friz.
“Lokali është mbyllur, ndërkohë që mishi dhe nënproduktet e mishit të gjetura në dy lokacionet, mbi 200 kg, nga inspektorët e AUV-it janë bllombuar, deri në krijimin e kushteve për asgjësim. Lidhur me këtë rast, prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor, është arrestuar një person i dyshuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet nga Policia e Kosovës.