Kronikë

Vdiq një 17-vjeçar në aksident trafiku në Ferizaj

Në mëngjesin e sotëm në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj ka ndodhur një aksident trafiku, ku si pasojë ka humbur jetën një 17-vjeçar dhe është lënduar një 21-vjeçar, i cili është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur nga mospërshtatja e shpejtësisë. Vetura ka dal nga rruga dhe ka goditur një shtyllë elektrike të betonit.

Si pasojë në vendin e ngjarjes ka vdekur 17-vjeçari L.A. ndërsa 21-vjeçari N.A. që ishte drejtues i automjetit ka marrë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë. Policia ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit. 

“Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën lokale, nga fshati Pojatë në drejtim të Ferizajt dhe për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, drejtuesi humbi kontrollin mbi automjet, kaloi në anën e djathtë të rrugës dhe goditi një shtyllë elektrike të betonit, ku dhe përfundoi jashtë rrugës. Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, humbi jetën pasagjeri L.A. ( M/K), i moshës 17-vjeçare, (vdekjen e tij, e ka konfirmuar në vendin e ngjarjes, mjeku nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Ferizajt) , ndërsa lëndime trupore pësoi, drejtuesi i automjetit N.A ( M/K) i moshës 21-vjeçare, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, i njëjti për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Prishtinë. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , i ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe po e heton rastin”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.