Një punëtor i një kompanie ndërtimi, i angazhuar me punë në Mitrovicë, ka pësuar sot lëndim të rëndë në vendin e punës.
Sipas dëshmitarëve të rastit, punëtori është lënduar rëndë, pasi është këputur kablloja e ashensorit që shërbente për bartjen e materialit ndërtimor.
KOHA ka konfirmuar lajmin e fundit nga Policia.
Njoftimi i Policisë
“Sot rreth orës 12:00, është raportuar se viktima ka pësuar lëndime, nga informacionet fillestare bëhet e ditur se viktima lëndimet i ka pësuar derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi në rrugën " Agim Ramadani" në Mitrovicë. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Mitrovicë. Njësite përkatëse policore janë në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes” ka thënë Avni Zahiti, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës.
Njoftimi i Inspeksionit
Drejtori i Inspeksionit në Mitrovicë Fidan Ademi përmes telefonit i ka konfirmuar Kohës se bazuar në informatat që i kanë, dyshohet se një ashensor për bartjen e materialeve është shkëputur duke i shkaktuar lëndime një punëtori i cili është dërguar me urgjencë në spital për trajtim.
“Ende nuk i dimë të gjitha detajet, por dyshohet se një ashensor që bartë materiale ka rënë dhe i ka shkaktuar lëndime punëtorit. Më saktësisht me këtë do të merret Inspektorati i Punës ndërsa vendin e ngjarjes do ta vizitojë edhe kryetari i komunës” ka thënë Ademi përmes telefonit.
Njoftimi i Spitalit
Ndërsa zëdhënësja e spitalit të Mitrovicës Nita Mustafa ka konfirmuar se pacienti është sjell në gjendje të rëndë shëndetësore pa vetëdije dhe me thyerje.
“Pacienti është sjell me për politraumë pa vetëdije me frymëmarrje spontane. I kemi ofruar trajtimin e kemi intubuar dhe ai është dërguar për trajtim në QKUK. Ai gjithashtu ka pasur edhe fraktura të hapura” ka thënë Mustafa.