4 perditesime
14:19

Sveçla takohet me përfaqësuesit e shteteve që morën pjesë në operacionin e konfiskimit të kokainës

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, ka takuar ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlandon, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, drejtorin e Policisë, Samedin Mehmetin, dhe tre zyrtarë të shteteve që morën pjesë në operacionin e konfiskimit të 400 kg kokainë në Lipjan gjatë së hënës.

Sveçla ka falënderuar ekipet për pjesëmarrje në operacion, duke thënë se MPB-ja do jetë e hapur për bashkëpunime ndërkombëtarë të luftimit të krimit.

“Policia e Kosovës është e gatshme që të marr pjesë në secilin operacion. Ju garantoj se si Qeveri do të jemi të pa kompromis në luftimin e të gjitha krimeve, sepse vetëm kështu krijohet një klimë e mirëbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit”, ka theksuar ministri Sveçla.

12:48

Prokuroria Speciale dorëzon kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të arrestuarve në rastin e Lipjanit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve për rastin ku u sekuestruan 400 kg kokainë në Lipjan.

Ndërkohë, gjyqtarja ende nuk ka bërë ftesë për thirrje të seancës, njofton KOHA.

Konfiskimi i 400 kg kokainë dhe arrestimi i shtatë personave të dyshuar u bë të hënën, ku Policia sot njoftoi se përpos kokainës, janë sekuestruar edhe armë, para, telefona, laptop, dy revole, një veturë, katër DVR dhe një hard-disk.

12:02

Guardia di Finanza publikon pamje nga sekuestrimi i drogës në Lipjan

Guardia di Finanza ka publikuar pamje nga sekuestrimi i 400 kilogramëve drogë në Lipjan.

Sasia e kokainës e cila u sekuestrua në Kosovë të hënën në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe shqiptare ka ardhur nga Brazili.

Që nga atje, autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se është përcjellë me pajisje të veçanta deri në Kosovë. Droga ka qenë në një kontejner ku po bartej një sasi e mishit.

Në videon e publikuar nga Guardia di Finanza shihen pamje edhe nga mbërritja e drogës në Lipjan.

 

10:46

Ambasada amerikane e cilëson fitore në sundimin e ligjit konfiskimin e kokainës në Lipjan

Ambasada amerikane në Kosovë ka përgëzuar autoritetet kosovare për konfiskimin e 400 kilogramë kokainë që u kapën të hënën në Lipjan.

“Ju lumtë autoriteteve të Kosovës për konfiskimin e djeshëm të drogës në Lipjan - suksesi përmes partneriteteve globale mes Kosovës, Italisë, Shqipërisë dhe DEA-s”.

Ambasada këtë e ka cilësuar si fitore të madhe në sundimin e ligjit.

Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka shprehur krenarin me bashkëpunimin në operacionin. 

“Italia, Kosova, Policia e Shqipërisë, ​​Guardia di Finanza dhe Polizia italiane kryen operacionin më të madh kundër drogës në Kosovë, duke kapur 400 kg kokainë. Sot, festuam këtë sukses të madh ndërkontinental me Mininistrin, Xhelal Sveçla dhe ekipet operacionale. Jam krenar për bashkëpunimin tonë efektiv kundër krimit!” – ka shkruar ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

09:32

Policia jep detaje rreth konfiskimit së kokainës në Lipjan

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan gjatë së hënës. Përpos substancës narkotike që është konfiskuar, të hollave dhe një veture, Policia njofton se janë sekuestruar dy revole, 50 copë fishekë, 6 telefona celularë, 6 kompjuterë, 2 laptop, 4 DVR dhe një hard-disk.

Në këtë aksion janë arrestuar shtatë persona dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Lidhur me rastin, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta, ku janë përcjellë narkotikët nga Brazili.

Ai ka thënë se puna e përbashkët ekipore dërgon porosi të qarta te grupet kriminale se do të përballen me Policinë.

“Kemi bashkëpunuar me partnerët tanë. Kjo jo vetëm që ishte sfidë por edhe detyrim për ta luftuar krimin e organizuar”, ka thënë ai.