Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka njoftuar për një rast të kontrabandimit me duhan. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një proces që ka filluar në vitin 2018 në dyshimet për kontrabandë me duhan.
Në dyshimet fillestare, ai thotë se ka të bëjë me kontrabandë e cila është lehtësuar edhe nga zyrtarët doganorë të cilët dyshohet se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas tij, bëhet fjalë për një hetim që është bazuar në dy raste por ka përfshirë 47 persona të dyshimtë, prej tyre 16 kanë pranuar fajësinë dhe dy prej tyre janë nënshtetas të Shqipërisë.
“Është konstatuar se nëntë zyrtarë doganorë kanë qenë të përfshirë në këtë kontrabandim. Duhani ka qenë në sasinë prej 80 mijë kilogramë, përveç duhanit ka pasur edhe mallra tjera. Shuma e dëmit që është shkaktuar në buxhet është mbi 3 milionë euro”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin ai ka thënë se janë suspenduar zyrtarët doganorë të cilët dyshohet se e kanë keqpërdorur detyrën.