3 perditesime
14:51

Kryeprokurori kërkon “veprime të nevojshme” ndaj prokurorit që rikualifikoi veprën e vrasjes në Deçan

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar që të merren të gjitha veprimet e nevojshme, bazuar në ligj, ndaj prokurorit Agron Uka.

Këtë kërkesë, Lumezi ia ka drejtuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se pas veprimeve për ricaktimin e prokurorit të ri në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, si dhe kërkesës drejtuar trupit gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj prokurorit, Agron Uka”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokurorit Uka, sot me vendim të Luemzit i është marrë lënda për vrasjen e Agonis Tetajt, më 2018 në Deçan. Ky rast fitoi sërish vëmendje të mërkurën, pasi babai i viktimës publikoi videon e vrasjes dhe kërkoi ndihmë edhe nga ambasadat për drejtësi.

Prokurori Uka së fundi kishte rikualifikuar lëndën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Lënda në vitin 2019 ishte bartur nga Prokuroria e Pejës në atë të Gjilanit.

Me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit, kur kryeprokurori i shtetit ia merr lëndën një prokurori, me automatizëm iniciohet procedurë disiplinore.

13:19

Familja e viktimës në Deçan shtron kallëzim penal ndaj prokurorit Agron Uka

Avokati i familjes Tetaj, Berat Tmava, ka konfirmuar për KOHËN se sot do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj prokurorit Agron Uka për siç ka thënë, mënyrën se si e ka trajtuar lënden dhe dyshimet për manipulimet me prova e rikualifikimin e veprës penale.

Tmava është avokat i familjes Tetaj, anëtari i së cilës u vra më 2018 në Deçan.

I akuzuar për këtë vrasje është djali i pronarit të firmës ku punonte i ndjeri, Agonis Tetaj.

Rasti u kthye në vëmendje të publikut të mërkurën, kur i ati i viktimës publikoi videon e vrasjes, ndërkohë që u shkroi edhe ambasadve të huaja për të intervenuar në këtë çështje.

Vepra së fundi është rikualifikuar nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”, që ka çuar në reagim të familjes dhe opinionit.

Për këtë, sot, kryeprokurori Aleksandër Lumezi ia ka marrë lëndën prokurorit të deritashëm, Agron Uka, dhe ka thënë se do të ricaktojë një tjetër.

Vendimi i ish-kryerprokurorit të Apelit për dërgimin e lëndës nga Peja në Gjilan:

 

 

10:50

Kryeprokurori i shtetit do të ricaktojë prokuror tjetër për lëndën e vrasjes së Tetajt

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vendosur që rastin e vrasjes së Agonis Tetajt ta ricaktojë te një prokuror tjetër.

Përmes një komunikate për media, ai ka bërë të ditur se do të kërkojë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së.

Lumezi ka thënë po ashtu, se pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon. Gjatë punës tonë do të bazohemi në ligj dhe do t’i shërbejmë vetëm drejtësisë, duke trajtuar saktësisht dhe tërësisht të gjitha faktet, të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm. Në anën tjetër, kërkojmë nga të gjithë që të përdorin gjuhë konstruktive, duke mos ndërhyrë në dhënien e drejtësisë. Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast”, thuhet në njoftim.

09:38

Prokurorja e parë e rastit të vrasjes në Deçan la dyshime për manipulim të provave

Prokurorja e parë e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt më 2018 në Deçan, Sahide Gashi, në aktakuzën kundër të dyshuarit Shaban Gogaj, ka shfaqur dyshimet për manipulim të provave.

Në aktakuzë, në dy raste përmendet mundësia e manipulimit të provave, meqë nuk është bërë sigurua e vendit të ngjarjes deri në mbërritjen e Njësitit të Forenzikës së Krim Teknikës.

Ky rast ka marrë së fundi vëmendje të madhe, pasi i ati i viktimës, ka publikuar videon teksa shihet akti i vrasjes të të birit. Shfaqja e videos është bërë pasi Prokuroria në Pejë në fjalën përfundimtare e ka rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Dhe, kjo ka ndodhur dy ditë para se Gjykata Themelore në Pejë ta shpallë aktgjykimin ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

“Vërtetohet se Policia e Stacionit në Deçan, kryesisht nuk e ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes menjëherë pas rastit, siç kërkohet me rregullat e kriminalistikës. Për më tepër, në vendin ku është gjetur arma me të cilën është kryer vepra, kanë pasur qasje persona të ndryshëm civilë, familjarë si dhe policë të patrullës e hetues, të cilët kanë hapur sirtarët nën banak. Se çka kanë nxjerr apo futur, kamerat nuk e kapin atë pjesë fatkeqësisht dhe kjo ka ndodhur ende pa arritur Njësiti i Forenzikës së Krim Teknikës nga DRP në Pejë”, thuhet në aktakuzën e shkruar nga prokurorja Sahide Gashi.

Ndërkohë gjatë procesit, ajo është përjashtuar nga ky rast dhe lënda i është dorëzuar prokurorit Agron Uka.

Ky dyshim për manipulim të provave është shfaqur edhe në një pikë tjetër të aktakuzës së shkruar nga Gashi.

“Nga veprimet e policëve, në veçanti të Stacionit Policor në Deçan, ditën kritike pas rastit, të cilët shifen se si gjurmojnë sirtarin ku është gjetur arma me të cilën është kryer vepra, sikurse edhe personave civilë, lënë shumë për të dyshuar se ka pasur mundësi të manipulohet prova, sidomos kur edhe Krim Teknika ka gjetur fillimisht vetëm një armë dhe atë me të cilën është kryer vepra, derisa më vonë dikush nga policët i ka informuar se aty gjendet edhe një armë me gaz... duke pasur parasysh se arma me gaz ka qenë e futur në çantë, si ka pasur mundësi ta dinë policët se në atë çantë është kjo armë dhe atë me gaz. Në këto rrethana i mbetet Prokurorisë që të hetojë tutje”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se acarohet.

Më tutje thuhet se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit.

Sipas aktakuzës, Gogaj, pasi përfundon bisedën në telefon, nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Isuf Cacaj, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, dje, në të ditën kur u publikua videoja e aktit të vrasjes, është publikuar edhe një foto e prokurorit të rastit Agron Uka me avokatin e familjes Gogaj, Besnik Berisha, teksa qëndrojnë në një kafiteri.

Avokati Berisha në një postim në Facebook gjatë ditës së djeshme, ka mbrojtur qëndrimin e Prokurorisë për të rikualifikuar veprën, duke thënë se vrasja e Tetajt ishte “vetëm aksident tragjik e assesi vrasje me paramendim”.