Kronikë

Babai i Agonis Tetajt publikon videon e vrasjes së të birit, kërkon drejtësi

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili dërguar mediave, organizatave joqeveritare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, ka publikuar videon e aktit të vrasjes së djalit të tij, duke kërkuar drejtësi, pasi në këtë rast, është rikualifikuar vepra penale nga prokurori Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, të cilën vepër të rikualifikuar e ka pranuar i akuzuari Shaban Gogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Letra e plotë e tij:

“Jam Isuf Tetaj, jurist me profesion i lindur në fsh. Llukë e ulët, Deqan me datë 13.05.1951, babi i djalit të vrarë ne Deqan me datë 23.09.2018 rreth orës 11:00 nga Shaban Gogaj i cili po gjykohet në Gjykatën Themelore të Pejës. Po ju shkruaj nga mllefi, shqetësimi dhe frika e prindit dhe familjarit të cilit ju ka vra djali dhe siç po shihet procesi është i manipuluar, ndikuar nga persona të korruptuar dhe i akuzuari nuk do të marr dënimin e merituar. Me gjithë shumë fjalët publike se drejtësia në Kosovë është e ndikuar, korruptuar dhe e pa drejtë unë kam shpresuar dhe besuar dhe kam pritur gjithnjë duke besuar se kjo lëndë do të shqyrtohet dhe dënohet në mënyrë meritore, mirëpo dje me dt. 16.03.2021 u konfirmua edhe me rastin e gjykimit për vrasjen e djalit tim se hallkat e gjyqësorit në Kosovë nuk janë të paanshme ne këtë rast prokuroria më konkretisht personi z. Agron Uka. Agonisi djali im u vra në vendin e punës në diten e dielë nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thenë fjala perfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky propkuror z.Agron Uka me kërkesën e avokatit të palës së akuzuar është vendosur të ngarkohet me këtë qështje pa të drejtë, duke e larguar nga rasti Prokurorinë e Pejës e cila i ka zhvilluar të gjitha hetimet edhe e ka kompletuar lëndën në mënyrën meritore sipas veprës vrasje e rëndë me dashje:

(aktakuzën të cilën do ta gjeni bashkëngjitur ne këtë shkresë dhe provën kryesore video inqizimin e qartë si rrezja e diellit se si u vra djali im) të cilën video ju lutem ta shiqoni vet, personalisht ju të nderuar të gjithë që e pranoni këtë material dhe ta gjykoni secili nga cilësia e qytetarit të Kosovës dhe titullarit të institucionit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, një vendi ku po pretendojmë të kemi gjygjësi të drejtë dhe të pa ndikuar. Ju luteni ta gjykoni vet secili se a është vrasje nga pakujdesia apo vrasje e rëndë me dashje.”

Tutje, Isuf Tetaj, duke ju referuar prokurorit Agron Ukaj, pyet se “A thu ky prokuror dhe ai i cili e ka ngarkuar në këtë qeshtje qenkan të specializuar për të rikualifikuar veprat dhe zbutjen e denimeve me qëllime përfitimi apo të korruptuar jo profesional dhe pa integritet.

Ju lutem të ndani 1 min kohë nga koha e juaj e qmuar dhe ta shiqoni këtë video në cilësinë e titullarit të institucionit që drejtoni dhe në cilësinë e prindit.

I qetë dhe i heshtur i mllefosur dhe i vrarë në shpirt e kam përcjell këtë proces gjygjësor gjatë tërë kohës per me shume se 2 vite me shpresën që do të vendoset drejtësia dhe sic po shihet kjo nuk do të ndodh.

Nuk po kërkoj asgjë tjetër drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi gjykojeni për një cast djalin tuaj në vend të Agonisit tim i cili në një ditë të dielë kur njerëzit normal pushojnë ishte duke punuar për ekzistencën e familjes dhe fëmijve të tij dhe të vritet në këtë mënyrë në vendin e punës dhe vrasësi të mos marr denimin e merituar.

A thu po jetojmë në një vend ku kemi gjygjësi drejtësi dhe institucione demokratike apo duhet me kanun ti zgjidhim rastet.

I lënduar rëndë kërkoj nga ju që në mënyrë të shpejtë të merrni masat dhe veprimet si më poshtë:

– Të ndërpritet nje aktgjykim i pa drejte dhe jo meritor

– Perjashtimi i prokurorit dhe trupit gjykues si dhe ngritja e hetimeve dhe procedures disiplinore ndaj prokurorit z. Agron Uka

– Te rihapet gjykimi me qëllim të vlerësimit meritor të provave

– Te vendoset gjykim i drejte dhe meritor.

Unë ende kam shpresë së kjo do të ndodh dhe drejtësia do të vihet në vend.

PS: Kjo shkrese se bashku me aktakuzen dhe proven kryesore video inqizimin do të ju deponohet edhe në formë fizike në protokollin e institucionit tuaj.”

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar raportin e seancës së fundit në lidhje me këtë rast, të publikuar më 16 mars 2021.

Pas rikualifikimit të veprës nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.

Shaban Gogaj akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj Ag” dhe për veprën penale të armëmbajtjes paleje.

Përveç Gogaj, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguri kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas rikualifikimit të veprës penale dhe deklarimit fajtor të pandehurit Gogaj për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, mori vendim për aprovimin e pranimit të fajësisë.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit u caktua më 19 mars 2021, ora 14:30.

Paraprakisht, në këtë seancë, prokurori Agron Uka gjatë fjalës përfundimtare, theksoi se tek i pandehuri Gogaj, nuk ishte provuar dashja për kryerjen vrasjes së të ndjerit Tetaj e as ndonjë motiv apo qëllim për kryerjen e kësaj vepre.

“Nuk është argumentuar elementi i dashjes për vrasje e as për vrasje të rëndë. Duke u bazuar në nenin 7 të KPRK-së dhe në rast të dyshimit, duhet të veprohet në favor të pandehurit, pikërisht në këto rrethana dhe fakte dhe dispozita ligjore në fuqi, bëjmë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, tha prokurori Uka.

Sipas prokurorit Uka, i akuzuari Shaban Gogaj nuk kishte qenë i vetëdijshëm për veprën e vet respektivisht, i pandehuri nuk e kishte dëshiruar pasojën e shkaktuar.

“I pandehuri nuk e ka dëshiruar pasojën e shkaktuar, pasi pasoja është shkaktuar kundër vullnetit të tij”, thuhet në fjalën përfundimtare të prokurorit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit Gogaj, avokati Besnik Berisha e cilësoi vënie të drejtësisë, ricilësimin juridik të Prokurorisë.

“Me këtë cilësim juridik është sjellë drejtësia. Ky cilësim reflekton me të gjitha provat e akumuluara gjatë fazës së hetimeve dhe ato të administruara në shqyrtim gjyqësor, e mbi të gjitha, në video incizimet, të cilat ishin dhe mbeten mbretëreshë prove, në këtë çështje penale”, tha avokati Berisha.

Avokati Berisha kërkoi nga trupi gjykues që në rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, të merren parasysh fakti se i mbrojturi i tij kishte pranuar fajësinë, moshën e re, pendimin e tij të thellë.

Berisha shtoi se i mbrojturi i tij ishte duke i vuajtur pasojat e veprimeve të tij shpirtërisht dhe psiqikisht.

Ai shtoi se familja e të mbrojturit të tij do të vazhdojë të kompensojë bashkëshorten e të ndjerit me rrogën që i ndjeri e kishte marrë tek kompania “Gogaj” dhe se familja e të pandehurit është zotuar se bashkëshortes dhe fëmijëve të ndjerit, t’ia paguajnë blerjen e banesës në Deçan.

“Të gjitha këto nuk bëhen për të blerë dënim më të lehtë, por bëhet për të përçuar atë se çfarë është duke kaluar shpirtërisht për çdo ditë, se vrasje e Agonis Tetaj ishte absolutisht aksidentale dhe për këtë ndajnë dhembje përditë dhe do të kontribuojnë për mirëqenien e fëmijëve të ndjerit”, tha avokati Berisha.

Ai në fund kërkoi që të të mbrojtur të tij të shqiptohet dënim sa më i butë dhe që i pandehuri Shaban të mos gjykohet për të fjalë që askush si kishte provuar.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, gjatë seancës së sotme ka raportuar se ricilësimi i aktakuzës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj ka ngjallur reagime nga familjarët e viktimës, ku nëna, babai dhe bashkëshortja e të ndjerit e kishin lëshuar sallën.

Avokati i të dëmtuarit, Berat Tmava tha se për këtë veprim do të njoftohet Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi sipas tij ka pasur prova për vrasje të rëndë.

Ndryshe, këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 12 qershor 2019, e të ricilësuar më 16 mars 2021, e akuzon të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të : Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra, dhe nga kjo shkrepje, e godet tani të ndjerin Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i njëjti kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty, i njëjti këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur të mbijetoj plagës.

Me çka ka kryer vepër penale “Vrasje nga Pakujdesia, nga neni 181 të KPRK-së.

Përveç kësaj, i pandehuri Gogaj akuzohet edhe për veprën penale të armëmbaje paleje.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës. /BetimipërDrejtësi