Arbëri

Berisha: Vrasja e Agonis Tetajt ishte vetëm një aksident tragjik, assesi vrasje e rëndë me dashje

Avokati Besnik Berisha ka thënë se janë bërë spekulime për manipulim me drejtësinë në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt. Këto spekulime, thotë ai, janë bërë për përfitime monetare personale.

Pas një reagimi të sotëm nga familjar i Tetajt kundër cilësimit të veprës nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”, Berisha thotë se ky është veprim i drejtë dhe i ligjshëm i bërë nga prokurori i çështjes. Veprim, shton ai, “i cili derivon nga një rrugë e gjatë e hetimit dhe gjykimit, me pjesëmarrje aktive të palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit të tyre”.

Pas hetimeve, Berisha, thekson se nxirret në pah se vrasja e Tetaj ishte “vetëm aksident tragjik”.

“Kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme, jo vetëm për palën e dëmtuar, përfundimisht nxori në pah se vrasja e tani të ndjerit Agonis TETAJ ishte vetëm një aksident tragjik, e assesi një vrasje e rëndë me dashje, siç padrejtësisht e kundërligjshëm ishte cilësuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurorja Sahide GASHI”, shkroi ai në Facebook.

Për këtë çështje, Berisha ka paraqitur edhe disa arsyetime të tjera që mbështesin se vepra penale është vrasje nga pakujdesia.

3. Prokurori që përfaqësoi organin e akuzës në shqyrtimin gjyqësor, së bashku me palën e dëmtuar dhe përfaqësuesin e tyre, janë munduar në çdo mënyrë e me çdo kusht që të gjejnë prova dhe fakte për të provuar motivin, dashjen dhe qëllimin, si kushte esenciale për cilësimin e veprimeve të z. Shaban GOGAJ si vrasje e rëndë.

4. Përkundër përpjekjeve të tyre dhe mundësive të pakufizuara që kishin në dispozicion Prokuroria, pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i tyre për rreth 2 vite e gjysmë, ata nuk arritën të sigurojnë qoftë edhe një provë të vetme që provon ekzistimin e motivit, dashjes dhe qëllimit të z. Shaban GOGAJ për ta privuar nga jeta tashmë të ndjerin Agonis TETAJ dhe për të rrezikuar jetën e kolegëve të tij.

5. Në mungesë të ekzistimit të motivit, dashjes dhe qëllimit, kushdo prokuror i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm do të duhej të ricilësonte veprimet e z. Shaban GOGAJ si vrasje nga pakujdesia, sepse vetëm duke vepruar kështu do të vihej në vend drejtësia.

6. Është fakt notor se roli i Prokurorisë nuk është vetëm për të mbrojtur interesat e palës së dëmtuar, por po ashtu ka detyrim ligjor që të mbrojë edhe të drejtat kushtetuese të palës së akuzuar dhe të kujdeset që me kujdes e përkushtim të njëjtë të vlerësojë provat fajësuese dhe shfajësuese për këdo të akuzuar.

7. Të gjithë ata juristë, e pseudo-juristë që pretendojnë se në rastin konkret kishte prova që provojnë ekzistimin e motivit, dashjes dhe qëllimit të z. Shaban GOGAJ për ta privuar nga jeta tashmë të ndjerin Agonis TETAJ i ftoj që fillimisht të analizojnë të gjitha provat e siguruara gjatë hetimit dhe të administruara gjatë gjykimit, të shiqojnë video-incizimet që nga ora 7 e mëngjesit e deri në momentin kritik të ditës tragjike dhe vetëm atëherë të provojnë të nxjerrin konkludime për cilësimin e drejtë dhe të saktë të veprimeve të z. Shaban GOGAJ.

8. I bindur se ricilësimi i veprimeve të z. Shaban GOGAJ nga Vrasje e rëndë në Vrasje nga pakujdesia ishte veprim dhe vendim i drejtë dhe i ligjshëm, e ftoj për përballje publike këdo ekspert të fushës, si dhe ata që mendojnë se marrin vesh nga drejtësia, e që po kanë dyshime se ricilësimi i veprimeve të z. Shaban GOGAJ është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa mbështetje ligjore nga Prokuroria.