Dy persona janë ndaluar të martën për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjes dhe dhënie apo marrje të ryshfetit në lidhje me votimin, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Siç bëhet e ditur në komunikatë, të ndaluarit janë A.K. dhe S.M.
Prokurori i shtetit ka thënë se të mërkurën do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarëve të dyshuar për veprat në fjalë.
Ky institucion ka thënë se po vazhdon hetimet lidhur me rastin.
Dyshimet për keqpërdorime nga komisionerët në numërimin e votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit janë ngritur nga të gjitha partitë. Shumë kandidatë për deputetë kanë paraqitur ankesa ndërsa më të theksuara kanë qenë akuzat brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Madje si pasojë e këtyre përplasjeve dhe raportimeve, Meliza Haradinaj-Stublla u dorëhoq nga kjo parti por edhe nga posti i ministres së Jashtme.