Kronikë

Nga një muaj paraburgim për dajë e nip në Kaçanik që u përleshen fizikisht

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar e masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit B.Z. shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve si dhe të pandehurit M.S. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi se i pandehuri B.Z. më 06.03.2021 fshatin Doganaj - Komuna Kaçanik, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të pandehurit S.S., pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi.

“B.Z. fillimisht përleshet me te pandehurit S; M; dhe R.S. më pas nxjerr revolen dhe në përleshje e sipër shtie me armë në drejtim të tokës, me ç ‘rast e godet të dëmtuarin nën gjurin e këmbës së majtë duke i shkaktuar lëndime trupore. Ndërsa i pandehuri M.S. dyshohet se në kohë dhe vend të njëjtë me dashje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër, e sulmon fizikisht të pandehuri B.Z., në atë mënyrë që si pasojë e një mosmarrëveshje të përshkruar si më larte, me shufër metalike përderisa i njëjti ishte i rrëzuar për tokë, i pandehuri e godet të njëjtin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasoje e këtyre goditjeve, i njëjti pëson lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës vepra penale është kryer me përdorimin e armës dhe përdorimin e shufrës metalike.

“Të pandehurit janë në marrëdhënie familjare në mes vete, nip e dajë dhe se e tërë ngjarja e ditës kritike ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje rreth një borxhi të mëparshëm, andaj ekziston rreziku serioz se po që se të njëjtit do të lihen në liri mund të përsërisin vepra penale me pasoja edhe më të rënda”, thuhet në njoftim.