Kronikë

IPK-ja arreston një zyrtar policor për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, ka arrestuar një zyrtar policor sot, me dyshime se ka kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare.

Zyrtari policor është punonjës në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.

“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së. Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (video-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë. Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.