Një përleshje ndërmjet pesë personave të mitur, që ka ndodhur të hënën pas orës 10 në rrugën “Ylber Fanaj” në Prizren ka përfunduar tragjikisht për 15 vjeçarin, me inicialet L.B. Sipas Policisë rajonale të Prizrenit, njëri nga të miturit e dyshimtë e ka goditur viktimën me thikë, duke i shkaktuar lëndime serioze, nga të cilat viktima ka humbur jetën. Zyrtarët policorë kanë pohuar se sipas informatave fillestare rezulton se viktima dhe të dyshuarit tjerë janë nxënës të shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka pohuar se ky rast nga hetuesit është cilësuar si vrasje. “Pesë persona të mitur pas një përleshjeje të aty për atyshme, njëri nga ta e godet viktimën me thikë në pjesën e kraharorit, që për pasojë shkakton lëndime të rënda dhe mjeku kujdestar i emergjencës i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e therjes me thikë”, ka thënë Osmanollaj.
Sipas tij, Policia dhe prokurori i shtetit së bashku me forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer edhe ekzaminimin e vendit të krimit.
bërë identifikimi i personit të dyshimtë si dhe personave të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë përleshje. Policia aktualisht është duke u marrë me të dyshuarit. Në bazë të informacioneve që kemi të njëjtit, viktima dhe të dyshuarit janë nxënës të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni”, por incidenti ka ndodhur në rrugët e qytetit”, ka deklaruar Osmanollaj, duke pohuar se vendi i ngjarjes ndodhet në afërsi të shkollave në lagjen “Bajram Curri”.
“Ne kemi monitoruar të gjitha kamerat në zonën përreth, dhe tani Policia po bën ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe është duke u marrë me hetimet lidhur me personat dhe motivin për çka ka ardhur deri te kjo përleshje”, është shprehur ai. Gjithashtu ka shtuar se trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Pas kësaj ndodhie përmes faqes në rrjetet sociale të lagjes “Bajram Curri” është paralajmëruar organizimi i një proteste për ditën e marte, si dhe bojkoti i dy orëve mësimore.
“Pas rastit tragjik që ka ndodhur në afërsi të shkollave, ku një i moshës 15 vjeçar ka humbur jetën, kërkojmë bashkëpunim të drejtorëve të shkollave që nesër me datë 19.01.2021 të bëhet një protestë lidhur me neglizhencën e institucioneve siç është Policia. Protesta do fillojë nga orët e para të mëngjesit duke vazhduar me 2 orë bojkot të mësimit, fillimisht ju ftojmë të gjithë prindërve që nesër të dilni në mëngjes në orët e para duke filluar qysh nga ora 08:00, sepse raste të tilla nuk duhet përsëritur!”, thuhet në njoftimin e lagjes, ku po ashtu janë shprehur ngushëllimet për familjarët e të ndjerit. Në këtë njoftim theksohet se procesi mësimor vazhdon pas përfundimit të protestës.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka ngushëlluar familjen e viktimës.
“Tronditës lajmi për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot, me ç’rast ka humbur jetën një 15 vjeçar si pasojë e plagëve të marra. Nga drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës, u informova që personi përgjegjës, i cili po ashtu është i mitur, tashmë është në mbajtje si dhe policia është duke hetuar të gjitha rrethanat në lidhje me këtë rast të rëndë. Në emër të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit.
Me shpresë që ngjarjet e tilla të mos ndodhin kurrë më”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.