Kronikë

Disa qytetarë u lënduan gjatë festës për Vitin e Ri

Derisa ishte në ballkonin e shtëpisë së tij, rreth orës 12:10 të mesnatës së të premtes, një person nga Ferizaj është goditur në gjoks prej një plumbi qorr, duke u dërguar menjëherë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Përveç tij, Emergjenca trajtoi edhe rreth 10 persona të tjerë që u lënduan me mjete piroteknike në natën e ndërrimit të moteve.

Mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente, Adem Jaha, tha se gjendja e të plagosurit me plumb qorr ishte më e rëndë, rast për të cilin edhe Policia e Kosovës ka hapur hetime.

“Para gjysmë ore një pacient me një plumb qorr i plagosur në regjionin torakal, para një ore një pacient me lëndime me mjete piroteknike amputim i dorës dhe është në sallë operative. Diku deri më tani 10 pacientë kanë kërkuar ndihmë me lëndime nga mjetet piroteknike, lëndime të lehta. Këto janë deri më tash. Gjendja është stabile për të gjithë të tjerët, me përjashtim të atij pacientit që është me plumb qorr dhe që tash pret për diagnostikim të mëtutjeshëm”, ka thënë Jaha.

Ndërkohë, mjekët janë detyruar që t’ia amputojnë një pjesë të dorës një qytetari tjetër që kishte djegur shuplakën shkaku i mjeteve piroteknike.

“Kemi pasur edhe disa raste më sporadike të lënduar me mjete piroteknike. Një prej tyre është në gjendje më të rëndë ku i është përfshirë shuplaka e dorës, ka frakturë të eshtrave të dorës, si dhe djegie të eshtrave të dorës dhe pritet tani të futet në sallën e operacionit nga mjekët e kirurgjisë plastike”, është shprehur Avdush Bajgora nga Qendra Emergjente në QKUK.

Megjithatë, sipas Bajgorës, viteve të fundit Emergjenca ka pranuar dukshëm më pak të lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

Në natën e Vitit të Ri ndihmë kërkuan edhe disa persona shkaku i lëndimeve nga aksidentet në trafik, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë rreth moshës 10–vjeçare.