Kronikë

I hiqet masa e arrestit shtëpiak Haki Rugovës

Gjykata e Apelit ka vendosur ta ndryshojë aktvendimin e Gjykatës Themelore të Pejës lidhur me masën e arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Istogut, njëherësh nënkryetar i LDK-së Haki Rugova dhe ish-nënkryetarit të kësaj komune, Lulzim Blakaj.

Sipas njoftimit, të pandehurve u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit të punës, apo personit të caktuar.

“Konkretisht atyre u është ndaluar që t’i afrohen një dëshmitari, në distancë më të afërt se 100 metra, e po ashtu iu është ndalur çdo komunikim më të, në kohëzgjatje prej një muaji. Më këtë aktvendim të pandehurve u bëhet me dije se në rast se e shkelin këtë masë, gjykata mund të urdhëroj paraburgimin”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Apelit thotë se edhe më këtë masë mund të arrihet qëllimi për të cilin është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata konsideron se nisur nga pesha e veprave penale, mënyra, rrethanat dhe koha në të cilën dyshohen të jenë kryer ato, masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, është masë e mjaftueshme, për të zvogëluar rrezikun që të pandehurit të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Prokuroria ka dyshim të bazuar se Haki Rugova ka kryer veprat penale “Konflikt i interesit” , “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” , ndërsa për Blakajn se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar.” Të gjitha këto të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.