Video

Një muaj arrest shtëpiak për Haki Rugovën

1

Masa e arrestit shtëpiak prej një muaji, i është caktuar kryetarit të Komunës së Istogut, njëherësh nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova, si dhe ish-nënkryetarit të kësaj komune, Lulëzim Blakaj. Ndaj zyrtarit tjetër të Komunës, Faton Bujupi, prokurori ka hequr dorë nga propozimi i masës së arrestit shtëpiak.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Rugovës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar, si dhe ndaj të pandehurit Blakaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës në Pejë.