Të mërkurën në fshatin Perqevë të Komunës së Klinës, ka ndodhur një tentativë vrasje. Një burrë ka shtënë me armë ndaj bashkëshortes.
Policia e Kosovës njofton sot se rasti është raportuar në Stacionin Policor në Klinë nga vet i dyshuari A. G. i cili ka deklaruar që kishte plagosur me armë zjarri bashkëshorten e tij E. G. duke e qëlluar viktimën me dy plumba në kraharorë, pas një zënke që çifti kishin në mes veti.
“Gjatë kohës që familjarët ishin duke e dërguar viktimën për trajtim mjekësor, të njëjtit kanë pasur një aksident trafiku duke humbur kontrollin mbi automjetin me të cilin ishin duke lëvizur dhe kanë dalë jashtë rrugës. Në aksident janë lënduar dy persona. Viktima e rastit është dërguar me ambulancë në Spitalin Regjional të Pejës për trajtim mjekësor përderisa dy të lënduarit në aksident janë dërguar në QMF në Klinë”, thuhet në raportin e sotëm.
Policia njofton se viktima e rastit më pastaj është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
“Vendit të ngjarjes ju kanë përgjigjur të gjitha njësitet kompetente të PK-së, është konfiskuar arma e zjarrit me të cilën dyshohet që ka plagosur viktimën. Me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje”, thuhet në raport.