16:26

Kirurgu arrestohet për veprën penale të fajdesë

Kirurgu L.K është arrestuar të enjten në Gjilan nën dyshimet për përfshirje në veprën penale të fajdesë. Siç mëson KOHA, i dyshuari punon në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Ai dyshohet se ka dhënë para me fajde në vlerë prej 75 mijë euro duke kërkuar më pas kamatë prej 30 për qind.

Ndërkaq drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu ka thënë se nuk di asgjë për rastin. Ai ka deklaruar se kirurgu L.K. ishte dënuar në të kaluarën pasi nuk ishte gjetur në vendin e tij të punës.

“Ka munguar në punë dhe më është imponuar ta dërgoj në komisionin disiplinor dhe para 1 muaji e ka dënuar duke i ndaluar 20 për qind të pagës mujore. Sa i përket arrestimit nuk kam asnjë informacion dhe kjo çështje i takon gjykatës”, ka thënë ai.

15:55

Një i ndaluar për fajde në Gjilan, dyshohet se dha 75 mijë euro dhe kërkoi 97 mijë

Një person është ndaluar në Gjilan me dyshimin që është përfshirë në vepër penale të fajdes. Këtë e ka bërë të ditur të enjten Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

I dyshuari L.K. është ndaluar për 48 orë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuara ka dhënë para me fajde, në vlerë prej 75 mijë euro, me qëllim që pastaj t’i kërkonte me kamatë prej 30 për qind nga i dëmtuar E.I. Vlera e përgjithshme sipas marrëveshjes që i dëmtuari kishte për t’ia kthyer të dyshuar, ishte 97 mijë e 500 euro”, thuhet në njoftim.

Është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur shënime në formë të marrëveshjes lidhur me kthimin e borxhit dhe dëshmi që ndërlidhen me çështjen.