Arbëri

Praktikat e përfshirjes së komunitetit rom në Prizren zgjojnë interesimin e zyrtarëve grekë

Komuniteti rom - Prizren

Integrimi i pjesëtarëve të komunitetit rom që jetojnë në Komunën e Prizrenit sikurse edhe zbatimi i vendimit për gjuhën rome kanë qenë në qendër të vëmendjes së një delegacioni me zyrtarë nga Greqia, të cilët janë takuar me zyrtarët lokalë. Me këtë rast është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit të Prizrenit me komunat greke.

Praktikat e përfshirjes së komunitetit rom në Komunën e Prizrenit kanë zgjuar interesimin e zyrtarëve qeveritarë nga Greqia. Një delegacion nga shteti helen të enjten ka takuar zyrtarët e lartë të pushtetit lokal për të diskutuar lidhur me vendimin e Kuvendit të Prizrenit për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar, sikurse edhe shkallën e integrimit të pjesëtarëve të këtij komuniteti të margjinalizuar.

Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës për çështje të komuniteteve, Elizabeth Gowing, ka sqaruar se zyrtarët qeveritarë grekë, të udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm, Georgios Stamatis, po qëndrojnë për vizitë në Kosovë për të kuptuar më shumë lidhur me praktikat e mira të përfshirjes së komunitetit rom.

“Pra, kemi ardhur në Prizren pasi Prizreni është i njohur për qasjen shumë produktive dhe diversitetin e komuniteteve, sidomos statusi i fundit që është dhënë prej Komunës për gjuhën rome, si gjuhë në përdorim zyrtar këtu”, ka thënë ajo.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka pohuar se mysafirët grekë janë interesuar kryesisht rreth përdorimit të gjuhës rome në Komunën e Prizrenit, përkatësisht për vendimin e Kuvendit të Komunës, sikurse edhe për mundësitë e bashkëpunimit me projekte si për komunitetin rom ashtu edhe për komunitetet e tjera.

“Ata shprehën edhe interesimin me pasë një vizitë të veçantë në Komunën e Prizrenit, natyrisht, siç e thanë, për të parë nga afër praktikat e mira, që ne i shpjeguam sot në takim. Edhe kërkuan që në një të ardhme të afërt me realizua edhe një memorandum bashkëpunimi mes Komunës së Prizrenit dhe njërës prej komunave në Greqi”, ka thënë Gashi.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit në fund të muajit tetor të këtij viti ka miratuar vendimin për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar, me synimin që ky komunitet ta ruajë identitetin dhe kulturën e vet. Në disa shkolla të Prizrenit ka një dekadë që mbahet edhe mësimi fakultativ në gjuhën rome.