Komuna e Lipjanit ditë më parë ka marrë vendim që ta ndërprenë rrjetin e ndriçimit publik në të gjitha lokalitetet pas orës 23:00, me qëllim të kursimit të energjisë eklektike. Por, sipas banorëve në disa lokalitete programimi i ndërprerjes së energjisë po ndodh prej orës 20:00 dhe askush nuk po i shqyrton kërkesat e tyre për rregullim.
Po ashtu ndërprerje e ndriçimit po zbatohet edhe përgjatë shtegut të ecjes në Lipjan, megjithëse frekuentimi i qytetarëve gjatë orëve të vona të natës është i madh.
Lulzim Sinani, përfaqësues i fshatit Resinoc, ka thënë se kanë bërë disa herë kërkesa në komunë për rregullimin e sistemit për ndërprerje të ndriçimit Publik, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.
“Kam qenë disa herë në komunë dhe ju kam treguar se ndriçimi publik i fshatit po ndërkrehet në ora 20:00 dhe askush nuk po i shqyrton ankesat tona. Sidoqoftë ne kërkojmë që ndriçimi publik të funksionoi gjatë gjithë orëve të natës, mirëpo pasi që është marrë vendim që prej orës 23:00 të ndërpritet, atëherë le të zbatohet vendimi. Shkaku i mungesës së ndriçimit publik mund të ndodhin edhe vjedhje nëpër fshat”, ka thënë Sinani.
Ndërkaq, Florent Hoxha, banor nga Lipjani, ka thënë shtegu i ecjes shpeshherë është i errësuar gjatë orëve të mbrëmjes.
“Kërkojmë që shtegu i ecjes përgjatë shtratit të lumit sitnica të ketë ndriçim gjatë orëve të mbrëmjes sepse shumë qytetar po e frekuentojnë atë”, ka thënë Hoxha.
Në anën tjetër Burim Rrustemi, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit ka thënë nëpërmjet telefonit se banorët në disa lokalitete janë munduar ta rregullojnë sistemin e ndërprerjes së ndriçimit publik pa lejen e komunës.
“I kemi njoftuar edhe banorët se sistemi i ndriçimit publik nuk duhet të preket nga banorët sepse komuna ka vendos që pas orës 23:00 të ndërpritet për shkak të vendimit të Qeverisë për ta kursyer energjinë elektrike. Ndërkohë disa banor janë munduar ta zgjasin orarin duke e prekur sistemin e ndriçimit dhe ndërkohë ka dalë prej sistemit. Sidoqoftë, të hënën ne do të dalim në terren për ta rregulluar sistemin në të gjitha fshatrat”, ka thënë Rrustemi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.