Arbëri

Dy dorëheqje brenda VV-së në Lipjan

Përplasjet brenda degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan janë përcjellë së fundmi me dy dorëheqje. Asamblisti Fadil Spahiu dhe kryetari i nëndegës së fshatit Sllovi, Fitim Sopjani, kanë dhenë dorëheqje të enjten, duke u ankuar për procesin e brendshëm zgjedhor.

Gjatë këtij procesi zgjedhor, disa aktivistë kanë shprehur ambicie për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan e, në mesin e tyre edhe Adnan Rrustemi deputet në Kuvendin e Kosovës, njëherësh koordinator i LVV-së në Lipjan. Dorëheqjet e fundit kanë etiketuar pikërisht procesin zgjedhor si “denigrues dhe jo demokratik nga drejtuesit e qendrës”.

Sipas burimeve brenda LVV-së në Lipjan, gjatë ditëve në vazhdim pritet të ketë edhe dorëheqje të reja nga ky subjekt.

Image

Kuvendari Spahiu, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se po largohet nga subjekti shkaku i zhgënjimeve dhe mospajtimeve me zhvillimet e fundit brenda subjektit.

“Pas një rrugëtimi të gjatë si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, jap dorëheqje në shenjë zhgënjimi dhe mospajtimi me zhvillimet e kohëve të fundit në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan. Kohëve të fundit jemi përballur me situata aspak demokratike dhe denigruese të udhëheqjes së qendrës sonë, veçanërisht të procesit të zgjedhjeve të brendshme, ku drejtuesi i Grupit Punues duke e keqpërdorur pozitën emëruese nga niveli i tretë organizativ, e favorizon një grup të ngushtë të individëve dhe duke i linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e tjerë”, ka thënë Spahiu që ka shtuar se angazhimin do ta vazhdojë si asamblist i pavarur.

Ndërkaq, Fitim Sopjani kryetar i degës së LVV-së në fshatin Sllovi, njëherësh anëtar i grupit punues në Qendrën e LVV-së në Lipjan, ka thënë se jep dorëheqje nga të gjitha pozitat e këtij subjekti.

“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni. Unë e kuptova aty por, do ta kuptojnë edhe të gjithë ata që do të përballen me këso lloj situatash”, ka thënë Sopjani.

KOHA ka provuar të marrë një deklaratë nga koordinatori i LVV-së në Lipjan Adnan Rrustemi, por ai nuk ka qenë i qasshëm.