Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u është përgjigjur kërkesës së degëve në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e tij. Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ka performuar më së dobëti në këto dy komuna në zgjedhjet e 7 qershorit dhe ka kërkuar dorëheqjen e tyre morale.
Abdixhiku këtë kërkesë e ka bërë ndaj kryetarit të degës në Pejë, Gazmend Muhaxheri dhe atij në Lipjan, Imri Ahmeti.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së. Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka thënë Abdixhiku në reagimin e tij në Facebook.
Abdixhiku ka thënë gjithashtu se këto kërkesa të dy kryetarëve, janë të koordinuara dhe e ka quajtur si më korrekte po t’i bëheshin ballë për ballë.
Kryetari i LDK-së ka deklaruar se ndjen keqardhje që në momentet me të rëndësishme kësaj partie, dëmtimi nga brenda mbetet qëllim. Reagimin e ka nisur dhe përfunduar me “Si nuk u ngopën kurrë?!”.
Abdixhiku fton anëtarësinë e LDK-së për durim: Kam marrë mbështetje nga kryetarë e nënkryetarë
Abdixhiku ka reaguar edhe njëherë pas këtij statusi ku ka ftuar anëtarësinë e LDK-së për durim.
Edhe
Muhaxhiri: Abdixhiku duhet të largohet, s’ka autoritet të vazhdojë
“E kuptoj se anëtarësia jonë është e shqetësuar. Por sonte ju ftoj në durim. Ka momente kur padrejtësia duket më e madhe se mundi ynë; por janë pikërisht ato momente që e provojnë karakterin tonë. Ky karakter do t’i tejkalojë llogaritë e vogla; siç i ka tejkaluar gjithherë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se ka marrë mesazhe mbështetëse nga kryetarë e nënkryetarë të degëve e veprimtarë, siç ka thënë, të pafund.
“Falënderoj, nga zemra, të gjithë kryetarët e degëve, kryetarët e nëndegëve dhe gjithë ata veprimtarë të pafund, për mbështetjen e dhënë sonte. Mesazhet e juaja mbështetëse, publike e private, janë më shumë se çfarë mund të kërkoj unë dhe LDK. Të gjithë ne, jemi veçse kalimtarë në një mision shumë më fisnik; por kur rrugën se bëjmë vet, ndihemi vërtetë më njerëzisht”, ka shkruar Abdixhiku.