Arbëri

Në burimet e ujit në Gorancë s’ka sistem të klorizimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të martën se nga mostrat e ujit të marra në fshatin Gorancë të Hanit të Elezit, ku dyshohet për helmimin e 240 personave, ka rezultuar se nga analiza fiziko-kimike ato janë brenda standardeve të lejuara për ujin e pijes. Megjithatë, raporti thekson se në burimet e ujit në këtë fshat, nuk ka sistem të klorit.

Sipas njoftimit, fshati Gorancë furnizohet nga dy burime, në “Burimin e Turkut” dhe burimin e dytë të ndërtuar në vendin e quajtur Sudenec. Në terren janë marrë tri mostra të ujit (në Sudenec, te “Burimi i Turkut” dhe në AMF-në në Gorancë) për analiza fiziko-kimike dhe bakterologjike. Analizat bakteriologjike janë duke u punuar ende.

Në përfundime, IKSHPK-ja ka thënë se nga rezervuari kryesor – ku përzihet uji nga dy burimet, uji me rënie të lirë futet në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në asnjë pozicion s’ka sistem të klorizimit. Uji nuk dezinfektohet.

240 ishte numri i personave që kërkuar trajtim mjekësor me simptome të njëjta: Ethe, barkqitje, mundim e vjellje. S’ka të hospitalizuar.

Është rekomanduar që të raportohen menjëherë rastet e dyshimta në helmim, të vlohet uji që përdoret për pije, të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor, të përcillet cilësia e ujit, si rekomandim kryesor të instalohet sistemi i klorizimit.