Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestohet kundër ngritjes së një ure në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

Banorë të disa lagjeve të Vushtrrisë po kundërshtojnë ndërtimin e urës në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Ata kanë kërkuar që ura të mos ndërtohet në lartësinë e paraparë në projekt, për shkak se kjo mund t’u shkaktojë probleme në qasje

Ndërtimi i një ure në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë është kundërshtuar të hënën nëpërmjet një proteste nga banorë të disa lagjeve të Vushtrrisë.

Ata janë kundër pjerrtësisë së rrugës përmbi urë, për të cilën kanë thënë se është e lartë dhe se kjo do t’u shkaktojë probleme në të ardhmen.

Isa Latifi, përfaqësues i protestuesve, ka thënë se rruga gjithnjë u ka sjellë telashe, dhe me ndërtimin e urës ato do shtohen.

“Sipas pikës së cilës na kanë dhënë inxhinierët, terreni ka rënie 6 për qind, gjegjësisht ngritje, ndërsa me ndërtimin e urës, nëpërmjet qasjes në urë na është rritur qind për qind – nga 6 për qind në 11.6 për qind, çka për neve është e papranueshme, sepse në këtë pikë kritike gjithmonë kemi pasur vështirësi”, ka thënë ai.

Latifi ka theksuar se u është drejtuar disa herë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

Edhe Banorët e Stanocit të Epërm ankohen për mungesë nënkalimi Arbëri Banorët e Stanocit të Epërm ankohen për mungesë nënkalimi

“Ju kam drejtuar me datën 16 shkurt, ju kam drejtuar Florije Pajazitit dhe Liburn Aliut... Është kryer gërmimi, kanë filluar hapjen e bazamentit të shtyllave të urës, më 25 shkurt ua kam bërë kërkesën e dytë Flories, Liburnit, Hysen Durmishit, Imer Fejzës. Nuk kam marrë përgjigje prej asnjërit”, ka thënë ai.

Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS për këtë çështje.

E banorët kanë theksuar se nuk do t’i ndalin protestat deri në realizimin e kërkesës së tyre.