Arbëri

Subjektet politike në Lipjan shpërfillin pagesat për ujë të pijshëm e mbeturina

Subjektet politike në Lipjan, PDK-ja, LVV-ja, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate, PDAK-ja ,PAI dhe LDK-ja, prej më shumë se dhjetë vjetëve u janë shmangur pagesave për mbeturina që menaxhohej nga Kompania Regjionale “Pastrimi”.

Të gjitha këto subjekte po i shfrytëzojnë kontejnerët më të afërt në qytet për t’i hedhur mbeturinat e tyre, por që pagesat nuk po i kryejnë asnjëherë. Në kompaninë publike për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” në Lipjan, kanë thënë se së shpejti do të bisedojnë me secilin përfaqësues të subjekteve në mënyrë që t’i nisin pagesat për mbeturina. Xhelal Krasniqi, drejtor në këtë kompani ka thënë se është shqetësuese se si asnjë subjekt politik në Lipjan nuk paguan asnjë cent për mbeturina.

“Së shpejti do të marrim masa ndaj secilit subjekt politik sepse ato janë të obliguar t’i bëjnë pagesat për mbeturina. Shpeshherë ato subjekte po i shfrytëzojnë kontejnerët më të afërt për hedhjen e mbeturinave të cilët menaxhohen nga kompania jonë”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, secili subjekt politik apo biznes është i obliguar të paguaj për mbeturina.

Ndërkaq, edhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” në Lipjan këto subjekte politike nuk qëndrojnë mirë me pagesa.

“Po thuajse të gjitha këto subjekte kanë ngecur me muaj te tere në pagesa për shfrytëzim të ujit, prandaj është mirë që ato pagesa të kryhen sepse subjektet politike e shfrytëzojnë ujin e ujësjellësit”, ka thënë një burim brenda kësaj kompanie.