Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit po ankohet për mungesë stafi. Kjo QKMF aktualisht funksionon me vetëm një mjeke, që njëkohësisht është edhe ushtruese detyre e drejtoreshës. Derisa ajo dhe banorët kërkojnë angazhimin e mjekëve shtesë, Komuna arsyetohet se nuk i është ndarë buxheti
Pacientët që i drejtohen Qendrës kryesoer të mjekësisë familjare në Han të Elezit, në dispozicion kanë vetëm një mjeke familjare që mund të kujdeset për ta.
Lendita Rexhallari pos që kujdeset për pacientët, është edhe ushtruese detyre e drejtoreshës së kësaj qendre. Ajo detyrohet që katër mjekë të tjerë t’i angazhojë në emergjencë, derisa një tjetër është në pushim të lindjes.
Përveç Rexhallarit, mjek familjar në QKMF-në “Menduh Kaloshi” ka qenë edhe Nijazi Luma. Ai e ushtroi edhe detyrën e drejtorit në këtë QKMF deri në fund të janarit, kur edhe i skadoi kontrata.
Luma thotë se ka qenë i gatshëm që ta vazhdojë punën si mjek shkaku i mungesës së tyre, porse një gjë e tillë nuk i është mundësuar nga Komuna. Pretendon se një gjë e tillë ka, siç ka thënë, prapavijë politike.
“Unë kisha mundur të vazhdoj deri në përfundim, do të thotë deri në pension. Por ata nuk ma kanë ofruar këtë mundësi. Për shkak të ndryshimeve politike. Arsyeja kryesore është kjo, se po të kishte dashur për të më ofruar, do të kishin mundur ta ma vazhdonin, por nuk kanë bërë kurrfarë ofrimi për të qëndruar, ose për të ma vazhduar si menaxher. Nuk ka arsye të tjera, nuk është për keqmenaxhim. Në vendim më shkruan se arsyeja është për shkak të skadimit të kontratës. Për shkak të mungesës, kanë mundur të ma vazhdojnë”, ka thënë ai.
Por, sipas Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, Nijazi Luma ka qenë i kontraktuar vetëm si ushtrues detyre i drejtorit të QKMF-së.
“Ai ka qenë vetëm si ushtrues detyre. Për të hapur konkurs është një kohë afatgjate që duhet, një muaj para se të hapet konkursi, të bëhet njoftimi për ta pasur parasysh këtë punë, që të jetë një gjendje stabile, që të mos hapim konkurse vazhdimisht, e kemi pa më të arsyeshme që të hapim konkurs, por në një periudhë më të gjatë”, ka deklaruar Kimete Kuka, drejtoreshë e Shëndetësisë në Han të Elezit.
Lidhur me mungesën e mjekëve familjarë, Kuka ka thënë se i janë drejtuar disa herë Ministrisë së Shëndetësisë, porse nuk kanë marrë përgjigje. Sipas saj, ende nuk është ndarë buxheti për Komunën dhe për këtë arsye edhe nuk mund të angazhojnë staf shtesë.
Angazhimin e mjekëve familjarë e kërkojnë edhe qytetarët.
Lidhur me këtë çështje KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Ministra e Shëndetësisë dhe ajo e Financave, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas Udhëzimit administrativ për shërbimet parësore, ekipi i mjekësisë familjare është përgjegjës për 2 mijë banorë.