Arbëri

Tregu i gjelbër i Podujevës jofunksional edhe pesë vjet pas përurimit

Descriptive Text

Në parking për automjete dhe deponi për mbeturina është shndërruar Tregu i gjelbër i Komunës së Podujevës.

Ani se ishte përuruar qysh më 2017, ky treg asnjëherë nuk e ka ushtruar funksionin e synuar. Aty rrallëherë ndonjë tregtar shet pemë a perime. Shumica e tyre produktet i vendosin për shitje nëpër trotuare jashtë rrethojave të tij.

Tregtarët nuk pranuan që të flasin për KOHËN, porse prapa kamerës thanë se qeverisja e re komunale u ka premtuar zhvendosjen e Tregut të gjelbër në lokacionin ku tash ndodhet Stacioni i Autobusëve.

Komuna para një viti kishte premtuar se gjatë vitit të shkuar, pas skanimit të gjendjes në treg, do t’i bëjë investimet e nevojshme për funksionalizimin e tregut. Por premtimi ende nuk është jetësuar.

“Ne si Komunë e Podujevës jemi duke i koordinuar veprimet, të cilat do t’i ndërmarrim së shpejti në mënyrë që në bashkëpunim edhe me fermerët, edhe me tregtarët, ky treg të funksionalizohet dhe tregtimi i produkteve të tyre të mos bëhet në hapësira të cilat nuk janë të destinuara për tregtimin e produkteve, por të tregtohen brenda tregut dhe kështu, shërbimet e këtyre tregtarëve të jenë brenda parametrave të lejuar, qoftë në aspektin sanitar, mirëpo edhe në aspektin që të mos pengohen qytetarët në hapësirat ku nuk janë të destinuara për tregtimin e produkteve bujqësore”, ka thënë Fatlum Osmani, drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës.

Osmani thotë se deri më tani janë bërë përpjekje për gjetjen e bashkëpunimit me tregtarët, porse nuk janë ndërmarrë hapa të tjerë. Po qe se gjendja e tillë vazhdon, ai thotë se do të detyrohen që të ndërmarrin masa.

Ndërkaq Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve “Demokracia fillon këtu”, thotë se qeveritë komunale nuk kanë punuar sa duhet për t’i bindur tregtarët që të mos bëjnë shitje nëpër rrugë. Kjo mënyrë e shitjes, sipas tij, e pengon lëvizjen, si dhe ndikon në papastërtinë e produkteve.

“Mosfunksionalizimi i tregut është vetëm njëri nga shumë rastet me të cilat përballet Komuna e Podujevës si pasojë e mosplanifikimit afatgjatë dhe strategjik të investimeve që komuna i ka bërë në Komunën e Podujevës. Edhe në rastin e tregut, kur është vendos ajo pjesë të ndahet për tregun nuk ka pas një konsultim publik të mirëfilltë, nuk janë konsultuar palët e interesit, nuk janë marrë për bazë dhe nuk janë analizuar rrethanat të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në funskionalitetin e asaj pjese”, ka pohuar Jashari.

Sipas Jasharit, çdo ndryshim lokacioni për tregun, pa një analizë të mirëfilltë, rrezikon që sërish të përfundojë me dështim. Ai gjithashtu u kërkoi autoriteteve komunale që cilindo vendim që e marrin të jetë në shërbim të të gjithë tregtarëve, pa dallime.