Mytaher Haskuka i VV-së me 23.504 vota dhe Shaqir Totaj i PDK-së me 18.078 vota do të shkojnë në balotazh për t’u zgjedhur kryetar i komunës së Prizrenit.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila përfaqësohej me Anton Qunin si kandidat për kryetar mori 8.705 vota.
LDK-ja thotë se nuk kanë ende një vendim për koalicion. Quni ka thënë për KOHËN se partia do të mblidhet të diskutojë.
“Ende nuk kemi mendim, nuk kemi biseduar ende asgjë. S'kemi marrë asnjë vendim. Do t'i shohim mundësitë, ofertat, rrethanat. Do të mblidhemi (LDK-ja) të diskutojmë, mbetet të shihet”, ka thënë Quni.
Gati gjysma e komunave të Kosovës janë bërë me kryetarë pas zgjedhjeve lokale të së dielës. Por gjysma tjetër, përfshirë komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakove e Podujeva, do të vendosen pas balotazhit. Mbështetur në rezultatet preliminare të KQZ-së deri në mesnatën e së dielës, 21 nga 38 komuna do të shkojnë në balotazh. Një raund të dytë do të ketë edhe në garën për kryeqytetin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.