Të gjithë mësimdhënësit në Komunën e Rahovecit, të cilët i kanë plotësuar kushtet për vaksinim kundër COVID-19, janë vaksinuar me të paktën njërën dozë të vaksinave, ka bërë të ditur Avni Morina, drejtor i Arsimit në këtë komunë.
Ai për KOHËN ka thënë vaksinën s’e kanë marrë vetëm ata që sapo e kanë kaluar infeksionin e me rekomandim të mjekut duhet të presin.
“Të dielën e kaluar janë vaksinuar edhe pak nga ata që kishin mbetur pa u vaksinuar të paktën me njërën dozë dhe tani kanë mbetur pa u vaksinuar një numër simbolik, kryesisht ata që sapo e kanë kaluar infeksionin dhe me rekomandim të mjekut nuk lejohet të vaksinohen derisa të kalojë një periudhë e caktuar”, ka thënë Morina.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Elbunit Kryeziu, po ashtu ka njoftuar për vaksinimin e mësimdhënësve.
Deri më 26 shtator është shtyrë fillimi i vitit të ri shkollor. Në fillim të shtatorit, Ministria e Arsimit njoftoi se kanë mbetur edhe rreth 7 mijë mësimdhënës që s’janë vaksinuar, nga 26 mijë sa janë gjithsej.