Punimet në kuadër të këtij projekti rreth një milion eurosh janë ndërprerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me arsyetimin se gypat e ujësjellësit nuk mund të vendosen nëpër prona të kësaj agjencie pa ndonjë pëlqim. Në komunë thonë se projekti, edhe ashtu i zvarritur, është në fazën finale. Donatori i projektit e sheh shqetësuese këtë pengesë të AKP-së
Prej më shumë se dhjetë vjetësh po zvarritet projekti i ujësjellësit në qytezën e Hanit të Elezit.
Punimet në kuadër të këtij projekti rreth një milion eurosh janë ndërprerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me arsyetimin se gypat e ujësjellësit nuk mund të vendosen nëpër prona të kësaj agjencie pa ndonjë pëlqim.
Në një shkresë të këtij institucioni dërguar Komunës së Hanit të Elezit, midis të tjerash, thuhet se AKP-ja ka për synim t’i mbrojë dhe t’i administrojë asetet e ndërmarrjeve shoqërore.
“Kërkojmë nga ju që menjëherë t’i ndaloni punët që janë duke u zhvilluar në këto parcela, pasi që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore. Autoriteti i likuidimit kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme të pronës, pasi që çdo dëmtim i pronës zvogëlon vlerën e asetit”, thuhet në letrën që Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka nisur Komunës së Hanit të Elezit.
Ndërkohë, rreth kësaj çështjeje kanë reaguar institucionet publike në Hanin e Elezit, donatorët e projektit, në radhë të parë CDI-ja zvicerane, por edhe Kompania e Ujësjellësit, “Bifurkacioni”.
Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, ka thënë se qytetarët prej më shumë se dhjetë vjetësh po e presin funksionalizimin e punimeve në Fabrikën e ujit, andaj është shqetësuese të paraqiten pengesa në fazën përfundimtare të projektit.
“Ne kemi pasur edhe rastet kur pronat e ish-armatës kanë qenë në emër të shtetit, por i kemi kërkuar dhe me plan zhvillimor i kemi planifikuar ndërtimin e çerdhes apo ndërtimet sportive dhe në bazë të kërkesës sonë i kemi marrë në menaxhim. Tash presim edhe nga institucionet e nivelit qendror nga AKP-ja që ta bartë në pronësi të komunës, në mënyrë që edhe ky projekt të realizohet dhe të mos kemi probleme në të ardhmen”, ka thënë Suma.
Shqetësime ka shprehur edhe Astrit Vokshi, drejtor në CDI.
“Është shumë shqetësuese të kemi pengesa të tilla nga AKP-ja, derisa një projekt i tillë është në interes të përgjithshëm. Kërkojmë nga ky institucion të mos paraqesë pengesa, në mënyrë që projekti të përfundojë në afatet kohore brenda këtij viti, kurse procedurat e tjera institucionale le të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, ka thënë Vokshi.
Në kompaninë “Bifurkacioni” kanë thënë se janë të gatshëm ta menaxhojnë ujësjellësin edhe në këtë qytet, nëse projekti finalizohet sipas standardeve.
“Kemi probleme me AKP-në, por duke e parë interesin e madh, sidomos gjysma e qytetarëve të Hanit të Elezit, e cila për momentin nuk menaxhohet nga kompania dhe nuk furnizohen shumë dobët me ujë të pijshëm, unë po besoj se edhe ky problem shumë shpejt do të zgjidhet duke e pasur parasysh që ky është problem nacional”, ka deklaruar Nazif Asllani, drejtor i përgjithshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”.
Ndërkohë, Agjencia Kosovare e Privatizimit nga e premtja kur i janë nisur pyetjet e deri të dielën, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES rreth kësaj çështjeje.