Kosovë

Graçanica bleu në pranverë kripë e rërë kundër ngricave

 

Menaxhim jo të rregullt të kontratave publike, nënshkrim të kontratave përtej vlerës së parashikuar, certifikim për pagesë për lëndë jo të kompletuara, vonesë në pagesën e obligimeve e parregullsi në menaxhimin e automjeteve zyrtare, janë disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Graçanicës

Zyrtarët komunalë të Graçanicës nuk e kanë evidentuar në ditar sasinë e furnizimit me kripë e rërë për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit për ta arsyetuar pagesën. Përveç kësaj, këtë furnizim ata e kanë bërë në muajin prill, jashtë sezonit dimëror. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar edhe shkelje tjera në kontrata publike të Komunës së Graçanicës.

“Te kontrata për ‘Pastrimin, larjen e rrugëve dhe trotuareve, mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe pastrime të ndryshme në Komunën e Graçanicës’, të bëra në muajin mars dhe prill në vlerë totale prej 294,390€ ishin faturuar dhe paguar me vonesë, nga të cilat 36,654€ ishin paguar në muajin gusht dhe 256,760€ në muajin dhjetor. Për furnizimet me krip dhe rërë në vlerë 62,020€ në ditarin ndërtimor nuk ishte evidentuar sasia e furnizuar, për ta arsyetuar sasinë e paguar. Për më tepër, kripa dhe rëra ishte pranuar në muajin prill, ndonëse nuk arsyetohet nevoja për furnizim për shkak të kalimit të sezonit të dimrit dhe përmirësimit të kushteve klimatike”, thuhet në raportin e ZKA-së.