Arbëri

IKSHPK-ja në Pejë konfirmon se uji në Deçan nuk është i helmuar

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Komunën e Pejës ka njoftuar se rezultatet për dyshimin e helmimit të ujit në Deçan kanë dalë negative.

Adnora Nurboja nga IKSHPK-ja ka thënë për Kohën se uji është në përputhje sipas standardeve.

“Ato që i kemi punuar ne në Pejë, analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike janë në përputhje me standardet”, ka thënë ajo.

Që nga e diela në QKMF-në e Deçanit rreth 1.500 persona me simptoma të njëjta janë paraqitur e kanë marrë trajtim.

Fillimisht u ngritën dyshimet se helmimet erdhën nga uji i pijes, më pas kjo gjë u mohua. Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji. Dy vdekje u shënuan po ashtu, por ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ato nuk kanë lidhje me helmimet e fundit.